Protagonizmi i humbur i zotit President


Gazeta Express
12 Prill 2019 10:27

Mungesa e protagonizmit të Presidentit nuk e di a mund të interpretohet si fundi i tij, apo vetëm si një pushim i shkurtër pranveror. Kjo mbetet të shihet

Shkruan: Vegim Kraja

Kryeministri i Kosovës, burri nga Deçani, së fundi, pasi arriti t’i ndalte bisedimet me Serbinë, ia doli gjithashtu ta lërë nën hije Presidentin e Kosovës, të cilit i ka rënë dukshëm protagonizmi në skenën tonë politike. Faktori kyç në këtë rast, me të cilin komandanti zonë së Dukagjinit arriti t’ ia ndalë protagonizmin ish-shefit të UÇK-së është taksa, por edhe frika e z. Thaçi për ta prishur koalicionin e PAN-it, të cilin pjesërisht e kontrollon ai, përmes të dëgjueshmeve të tij, me qenë se se Presidentit nuk i konvenon një konstalacion tjetër politik, përkatësisht në rrafshin faktik, atij nuk i konvenon një LDK dhe një “Vendvendosje” në pushtet, meqë këta të fundit, edhe përkundër eksponentëve që mund t’i ketë në radhët e tyre, i kontrollon më pak se partitë që janë aktualisht në pushtet.  

Është bërë një kohë relativisht e gjatë, qëkur Presidenti i Republikës nuk ka dalë me folë dhe të propozojë zgjidhjet e tij “kreative” në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë rishikimin, korrigjimin apo pasionin e tij “patriotik”, për t’ia falur “veriun e Rankoviqit” Serbisë dhe për ta aneksuar Luginën e Preshevës ose Kosovën Lindore.

Kohëve të fundit, Presidentin e la nën hije burri nga Deçani, i cili shihet më shpesh dhe në të shumtën e rasteve nëpër tribuna përkujtuese të heronjve apo dëshmorëve të luftës së fundit. Kjo mungesë e protagonizmit të Presidentit, nuk e di a mund të lexohet se Burri i Deçanit e ka mundur përfundimisht zotin President, i cili sa here ka pasur qejf, ka luajt koqe me skenën politike të Kosovës, që nga pas lufta e këndej, përfshirë edhe periudhat kur s’ka mbajtur pozita formale në pushtet.

Është shumë herët të interpretohet, se kjo mungesë e Presidentit dhe zbehje e rolit të tij në jetën politike ditore dhe kufizimi i tij në ushtrimin normal të funksionit të tij kushtetues, si fitore e Burrit nga Deçani. Por një gjë është e sigurt, se Presidentit ia ka zënë rrugën Burri nga Deçani si macja e zezë, meqë Presidenti, siç po shihet, nuk po ia del ta shtyjë përpara agjendën e tij politike, për ndryshimin e kufijve ekzistues me Serbinë, apo, siç po thuhet, kufijtë e Jugosllavisë.

Duke marrë parasysh rolin e tij të kufizuar në punësime dhe emërime në kompani publike, mbase Presidentin duhet lavdëruar për mospërfshirje në punësimet e valës së fundit, ku burrat e tezës dhe të afërmit e partive në pushtet u punësuan, qoftë në ndërmarrje, apo administratë publike.

Po ashtu, nga Presidenti kam pritur të përfshihet në debatin për lojërat e fatit, ose së paku që Ligjin për lojërat e fatit të miratuar nga Kuvendi, të paktën një herë të ktheje prapa, me vërejtje eventuale apo edhe ta refuzojë nënshkrimin, në mënyrë që t’i hapej rruga e miratimit të këtij ligji në heshtje, duke qenë se ky ligj, sipas avokuesve, mund të ketë pasoja të rënda për arkën e shtetit, meqë licencat e investitorëve të huaj që kanë investuar në  këtë sektor të ekonomisë nuk mund të shpronësoheshin në mënyrë kaq arbitrare. Por Presidenti qëndroi neutral dhe nuk e mbajti asnjërën anë lidhur me këtë çështje.  

Për 20 vjet radhazi jemi mësuar që zoti President ta shohim çdo ditë në televizor, deri me zmbrapsjen e tij në mungesë të dialogut me Serbinë. Para kësaj mungese, Presidentit nuk i mjaftonin ekranet televizive kosovare, përfshirë ato me spektër kombëtar dhe kabllor, por ai vazhdonte ta promovonte idenë e tij për korrigjim kufijsh edhe në Shqipëri. Edhe pse nuk shquhet për oratori ose për elokuencë, Presidenti vazhdonte të përgjigjej në këto debate, ashtu siç donte vetë, pavarësisht pyetjeve që i parashtroheshin. Lidhur me këtë dhe në përgjithësi me protagonizmin e tij në ekran, më duhet ta citoj ish-eprorin tim të ndjerë, z. Agim Zatriqi, i cili thoshte: “Kur e kanë pyet djalin e Hashim Thaçit, ku të punon baba, ai është përgjigjur, në RTK”. Natyrisht, djali i Thaçit atëherë ishte çun i vogël dhe nuk i merrte vesh punët e mëdha të Kosovës.

Pra, kjo mungesë e protagonizmit të Presidentit nuk e di a mund të interpretohet si fundi i tij, apo vetëm si një pushim i shkurtër pranveror. Kjo mbetet të shihet.

Te fundit


Kthehu lart