Promovimi i librit monografik “Abdurrahman Shala-Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” - Gazeta Express
string(95) "promovimi-i-librit-monografik-abdurrahman-shala-mjeshtri-qe-e-beri-punen-sikur-te-ishte-e-lehte"

Promovimi i librit monografik “Abdurrahman Shala-Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë”

Arte

Gazeta Express

22/04/2024 14:42

Ciklit të botimit të monografive të Organizatës Integra për artistët e shquar shqiptarë nga Kosova,  i shtohet edhe libri për jetën dhe veprën e artistit Abdurrahman Shala (1922-1994), që do të promovohet me datë 23 prill 2024, ora 18:00, në Menzën ”Ramiza Sadiku” (Prishtinë).

Monongrafia për artistin e jashtëzakonshëm Abdurrahman Shala, që për autor ka Visar Krushën, ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij artistike. I ndarë në disa kapituj, ky libër përmbledh dhe pasqyron jetën e tij që nga fëmijëria, pastaj, në mënyrë kronologjike, rrugëtimin e tij sfidues e plot dramë jetësore, prej aktori të teatrit dhe filmit, regjisori, skenaristi, themeltari e drejtuesi institucional.

Lexo Edhe:

Përveç materialeve dhe burimeve ekzistuese, të grumbulluara nga institucione e burime të ndryshme, pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, artistë, si dhe me persona të tjerë, që e kanë njohur mirë dhe kanë punuar ngushtë me Abdurrahman Shalën. Këto intervista e plotësojnë dhe përmbushin rrëfimin për të. Për mjeshtrin e artit skenik dhe filmor.

Nisma për botimin e këtij libri ka pasur për qëllim parësor hedhjen dritë mbi një figurë të jashtëzakonshme artistike të vendit tonë, si një thesar i çmuar i tarshëgimisë sonë teatrore dhe filmike. Kjo është një histori shpirtërore që duhet të ndriçohet e të ruhet për brezat e ardhshëm.

Kapitujt e këtij libri kanë bazë të fortë dokumentuese dhe si të tilla, në mënyrë të përmbledhur, me besnikëri pasqyrojnë të dhënat për jetën dhe veprën e Shalës, si një kontributdhënës i madh i artit dramatik në Kosovë. Po ashtu, libri shpalos një dimension të veçantë, por tejet të rëndësishëm, të karakterit të Abdurrahman Shalës, si prind, familjar, koleg e njeri i vyeshëm dhe i përkushtuar në zejen e tij prej artisti. Ky libër është portreti më gjithpërfshirës që i bëhet Abdurrahman Shalës, këtij mjeshtri të madh, i cili edhe punët e mëdha e të vështira i bëri si të ishin të lehta.

Promovimi i librit monografik “Abdurrahman Shala-Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë”, tenton që në mbrëmjen e 23 prillit, të prezanton në mënyrën më të mirë të mundshme tërë punën që është bërë për publikimin e këtij libri para familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit.

Botimi i kësaj monografie është realizuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Rockfeller Brothers Fund.