Prokuroria pritet të njoftojë për ngritjen e aktakuzës për Banjskën pas gati një viti nën sulm nga Qeveria - Gazeta Express
string(106) "prokuroria-pritet-te-njoftoje-per-ngritjen-e-aktakuzes-per-banjsken-pas-gati-nje-viti-nen-sulm-nga-qeveria"

Lajme

Gazeta Express

11/09/2024 11:36

Prokuroria pritet të njoftojë për ngritjen e aktakuzës për Banjskën pas gati një viti nën sulm nga Qeveria

Lajme

Gazeta Express

11/09/2024 11:36

Prokuroria Speciale pritet të njoftojë për ngritjen e një aktakuze për sulmin në Banjskë të Zveçanit në prag të njëvjetorit të tij. Kryeministri Albin Kurti i ka akuzuar vazhdimisht prokurorët për mungesën e një aktakuze për këtë rast.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Pas pak, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufi do të dalë në një konferencë për media për të njoftuar për ngritjen e një aktakuze për rastin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Prokuroria Speciale njoftoi këtë mëngjes se një konferencë do të mbahej në 12:00, por pa e bërë të ditur arsyen.

Sulmet e Qeverisë ndaj sistemit prokurorial janë intensifikuar pak kohë pas atij sulmi në të cilin u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

Kur ishin bërë tre muaj nga ai sulm, kryeministri Albin Kurti e kritikonte Prokurorinë që s’kishte ngritur ende një aktakuzë për rastin.

“Ky pasivitet dhe mosinformim është i padrejtë dhe i pakuptueshëm”, shprehej Kurti.

Këshilli Prokurorial i Kosovës i pati reaguar kryeministrit, duke i kërkuar që të qëndronte larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhynte në punët e institucioneve të pavarura.

“KPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të gjitha organet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe autorizimet e vlefshme në vend dhe se këto deklarata i quan paraqitje publike të ricikluara të Kryeministrit që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta, të cilat po bëhen në secilin rast që atij dhe anëtarëve të kabinetit të tij iu jepet mundësia. Përmes këtij reagimi publik, KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit Kurti që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në institucionet e pavarura kushtetuese, siç është Prokurori i Shtetit, për të tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me institucionin e Prokurorit të Shtetit dhe punën e prokurorive dhe prokurorëve të shtetit, ngaqë si të tilla përbëjnë shkelje të patolerueshme në punën e pavarur të institucioneve prokuroriale”, thuhej në reagim.

Por kritikat nga Qeveria nuk ishin ndalur. Kurti e përmendte vazhdimisht mungesën e një aktakuze.

Në janar, ministri i Punëve të Brendshme thoshte se ishte “koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave”, për rastin e Banjskës.

Kurti nuk është ndalur duke përsëritur se “përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë” Prokuroria nuk ngriti aktakuzë për atë sulm.

Qeveria e cilësoi “shqetësuese dhe të pakuptimtë” në qershor mungesën e një aktakuze “edhe pas 9 muajve” nga sulmi.

“Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, shprehej zëdhënësi Përparim Kryeziu.

“Sot janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e Afrim Bunjakut… në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj për të ngritur aktakuzë, por nuk iu deshën as 10 orë për ta marrë në pyetje ministren e Drejtësisë për një status në Facebook”, deklaroi Kurti në një mbledhje të Qeverisë më 24 korrik.

Ndërkombëtarët e kishin kritikuar Qeverinë që i sulmonte prokurorët. Në një konferencë vjetore të prokurorëve në fillim të marsit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thoshte se Qeveria duhet t’i mbështesë institucionet e drejtësisë.

“Është frustruese nganjëherë, është edhe ofenduese, që të përballeni me kritikat për shkak të punës së mirë që e bëni, jo vetëm nga publiku, por edhe nga udhëheqësit e degëve të qeverisë, që po ashtu kanë përgjegjësi për të mbrojtur sundimin e ligjit të Kosovës dhe qeverisjen e mirë”, shprehej Hovenier.