Prokuroria nis hetimet ndaj truprojës së Kadri Veselit që sulmoi ekipin e T7


Gazeta Express
22 Gusht 2019 16:19

Mëngjesin e sotëm ekipi i Televizionit 7 janë sulmuar nga sigurimi i kryetarit të PDK’së, Kadri Veselit. Gazetari dhe kameramani janë nxjerrë me dhunë nga lokali ku po qëndronte Veseli. E Për këtë sulm, Prokuroria Thmelore e Prishtinës ka nisur hetimet, shkruan Gazeta Express

Ishin duke  e kryer punën e tyre të raportimit para nisjes së seancës për shpërndarjen e Kuvendit. Por, në momentin që tentuan t’i afrohen Veselit, gazetari Mirlind Behluli dhe kameramani Raif Selimi u sulmuan nga sigurimi i Veselit.

Gazetari Behluli u sulmua me grushte pas kokës nga sigurimi i Veselit.

E për këtë, Prokuroria ka nisur hetimet. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

“I kemi filluar hetimet ndaj truprojave që kanë qenë të përfshirë, Jemi duke u marrë me rastin”, ka thënë Munishi.

Sulmin ndaj ekipit të T7 e kanë dënuar gjatë ditës së sotme shumë fytyra politike të cilat kanë thënë se një sulm i tillë është i papranueshëm dhe tregon tendencën e PDK’së për të ndaluar fjalën e lirë në media.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka shkruar në Facebook se ky sulom duhet të ndjeket penalisht.

“Sulmi fizik ndaj gazetarit të T7, Mirlind Behluli, është i papranueshëm dhe duhet të ndiqet penalisht. Kur je ne panik nga humbja e pashpresë, fillon sulmet ndaj gazetarëve dhe jo vetëm. Kjo mendësi duhet të perëndoj qysh sot me shpërndarjen e Kuvendit”, ka shkruar Haxhiu.

E reagim ndaj këtij sulmi ka bërë edhe Visar Ymeri, deputeti i PSD’së. Ymeri ka thënë se ky sulm është manifestim brutal o logjikës antidemokratike të PDK’së.

“Sulmi ndaj gazetarit të T7, Mirlind Behluli, nga truprojat e Kadri Veselit, është manifestim brutal i logjikës antidemokratike të PDK-së. Kjo parti që ka dhunuar çdo institucion të vendit tash e sa vite, sot ushtroi dhunë edhe ndaj një gazetari, që është goditje për gjitha mediat dhe tentim për të ngjallur frikë në mesin e tyre. As PDK e askush tjetër nuk guxon të provojë të shtypë fjalën e lirë. Rasti ndaj Mirlindit na obligon si shoqëri që ta ngrehim zërin e ta denoncojmë këtë logjikë, kurse institucionet përgjegjëse duhet ta hetojnë rastin dhe ta dënojnë këtë veprim”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Ndërkaq PDK’ja mbrëmjen e së mërkurës ka shpërndarë një komunikatë përmes së cilës ka kërkuar që të mos lexohet Gazeta Express.

Ky subjekt politik tash e disa kohë është duke e bojkotuar televizionin T7 dhe Gazetën Express. E ndaj kësaj komunikate të PDK’së ka reaguar edhe Asociacioni i Gaqzetarëve të Kosovës (AGK).

Në reagimin e AGK-së thuhet se gjuha e këtij subjekti politik po vazhdon të degradojë tutje, sado që thotë se e respekton lirinë e shprehjes

“Sulmi i Partisë Demokratike të Kosovës ndaj Gazetës Express, për AGK është i papranueshëm. Thirrja publike “Mos u besoni lajmeve të rreme të Gazetës Express”, është ndërhyrje flagrante ndaj një mediumi. Gjuha e këtij subjekti politik vazhdon të degradoj tutje, i cili sado që thotë se respekton mediet dhe lirinë e shprehjes, fton qytetarët që t’i marrin me rezervë lajmet e Gazetës Express, lajme të cilat i cilëson të rreme”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje AGK-ja vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit politik.

“AGK përveç që shpreh shqetësimin e saj për këtë gjuhë që përdoret ndaj medieve nga një subjekt politik i cili për vite me radhë është pjesë e pushtetit, vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit publik”, theksohet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, më 3 maj të këtij viti, kishte reaguar kur kreu i këtij subjekti politik Kadri Veseli, kishte telefonuar kryeredaktorin e të njëjtit medium, Gazeta Express, Leonard Kerquki.

“AGK fton PDK që të distancohet nga kjo gjuhë e përdorur në këtë rast, e cila cenon integritetin profesional të gazetarëve”, thotë AGK-ja.

Te fundit


Kthehu lart