Prokuroria e Pejës ngre aktakuzë ndaj katër kolegëve të Gazmend Muhaxherit


Gazeta Express
12 Qershor 2019 15:28


Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër D.Sh., G.L., R.Zh., dhe G.Sh., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, (të gjithë këta zyrtarë të Komunës së Pejës). Si dhe kundër I.K., për veprën penale “Mashtrimi”.

Sipas njoftimit që ka lëshuar Prokuroria e Pejës, bëhet e ditur se keqpërdorimet zyrtare i kanë shkaktuar mijëra euro dëm buxhetit të komunës.

“I pandehuri, D.Sh., akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në Komunë të Pejës, me dashje ka tejkaluar kompetencat e veta, pa qenë i autorizuar, duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit, me çka i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal  të Pejës në vlerë prej 9929 (nëntëmijenëntëqindenjëzetenëntë) euro.  

Të pandehurit, G.L., R.Zh., dhe G.Sh., si persona zyrtar në Komunë të Pejës, përkatësisht anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në vlerën e shumës se lartcekur.

Kurse, i pandehuri, I.K., në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve,  i ka shkaktuar dëme buxhetit komunal të Pejës në vlerë prej 9929 (nëntëmijenëntëqindenjëzetenëntë) euro.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë”, thuhet në njoftimin dërguar mediave./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart