Prokuroria dyshon se bashkëshorti e hodhi gruan nga vetura në Suharekë


Gazeta Express
15 Qershor 2019 21:48

Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala ka konfirmuar se bashkëshorti i gruas nga Suhareka që vdiq sot në QKUK si pasojë e plagëve të marra dy javë më parë kur ishte hedhur nga vetura, është i dyshuar për incidentin që e la të plagosur rëndë bashkëshorten e tij.

Shala deklaroi se i dyshuari po mbahet në paraburgim, teksa u shpreh se bëhet fjalë për një “rast të komplikuar”.

“Sa kam informata unë, ne kemi filluar një hetim. Nuk e di nëse është për ‘rrezikim të trafikut publik’ apo tjetër, por di që gruaja ka rënë prej veturës nga dera e prapme ku ka qenë e ulur. Është hap dera dhe në vozitje e sipër ka rënë”, u shpreh fillimisht Kryeprokurori i Prizrenit për Insajderin.

Shala tha se nuk dihet ende saktë çfarë ka ndodhur më 31 maj, kur gruaja nga Suhareka ishte hedhur nga vetura. Tha se Prokuroria Themelore e Prizrenit është duke hetuar edhe të kaluarën e çiftit, raporton Insajderi.

“Njëherë për njëherë nuk dihet saktësisht çfarë ka ndodhur, sepse ne jemi duke e hetuar rastin dhe jemi duke e hetuar të kaluarën e tyre; nëse ka pasur probleme familjare apo bashkëshortore”, u shpreh ai.

“Gruaja ka qenë në QKUK, ka qenë në gjendje koma dhe kësisoj nuk kemi mundur të marrim deklaratë nga ajo. Megjithatë ne jemi duke e hetuar rastin dhe të hënën besoj që do t’i japim kahje hetimeve. Mirëpo, është rast paksa i komplikuar”, tha Shala.

Pas aksidentit që ndodhi më 31 maj, gruas i është dhënë ndihma e parë në spitalin rajonal të Prizrenit, e më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë, ku vdiq pas rreth dy javësh.

Në Policinë Rajonale të Prizrenit kanë thënë për Gazetën Express se sot janë informuar se gruaja ka vdekur, ndërsa burri është i dyshuar dhe po mbahet në paraburgim.

“Rasti ka ndodhur me datë 31 maj. Viktima është hudhur nga automjeti. I dyshimtë është bashkëshorti dhe është arrestuar, e tash gjendet në qendrën e paraburgimit, ndërsa viktimës i është dhënë ndihma e parë në Prizren, më pas është dërguar në QKUK. e njëjta ka vdekur”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Veseli Gashi për Express.

Te fundit


Kthehu lart