Prokurorët e PSP-së ende vazhdojnë të shkojnë në punë


Gazeta Express
17 Shtator 2019 15:50

“Ruzveltova 34” edhe më tej është adresa ku në punë erdhën tashmë ish prokurorët special. Edhe pse morën vendim që të kthehen nëpër prokuroritë paraprake, ata presin zyrtarisht vendimin me shkrim të Këshillit të prokurorëve, ku pritet t’u hiqet titulli “special”. Kamera e Alsat sot para selisë së PSP-së kapi lëvizje të pazakontë. Të punësuarit nga pauza ktheheshin me ushqim në dorë.

Disa të tjerë vendosën që të porositin “ushqim të shpejtë”.

Në ndërkohë, një pjesë e personelit e pinte kafenë e pasdites.

Para objektit të Prokurorisë Speciale kishte biçikleta të parkuara, por edhe makina zyrtare, mes të cilave edhe makina Volsvagen Tuareg, me të cilën vozitej shefja e shkarkuar e prokurorisë, Katica Janeva. Prokurorët që i kontaktuam, sqaruan se do të qëndrojnë nëpër hapësirat e godinës në rrugën “Ruzveltova” derisa të vijë shkresa se duhet të kthehen nëpër prokuroritë amë.

Kurse nga prokuroria e rregullt edhe sot përsëritën se edhe vijon procesi i miratimit të vendimit se kush do t’i përfaqësojë lëndët e PSP-së. Joveski paralajmëroi se ka mundësi që ish prokurorë special përsëri t’i përfaqësojnë akuzat në gjykatë, edhe pse Këshilli i prokurorëve i ktheu ata nëpër prokuroritë e rregullt. Rasti i parë për të cilin Joveski dha autorizim që ta përfaqësojnë prokurorë të njëjtë është rasti “Monstra”, ku Fatime Fetai dhe Gavril Bubevski në gjykatë do të vazhdojnë ta udhëheqin rastin për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smilkovës.

Te fundit


Kthehu lart