Të mërkurën, me 17 maj prezantohet më ‘BarAca’ projekti që vrojton zhvillimet shoqërore dhe kulturore të Prizrenit të viteve 80’ përmes reflektimeve të komunitetit që e ka frekuentuar kafe-barin me të njëjtin emër.
Gjetjet e hulumtimit, si fotografi, shkrime, copëza të zinës dhe copëza rikrijimesh të elementeve të Janis do të bëhen të çasshme për publikun përgjatë kësaj mbledhje.
Gjatë kësaj dekade, Janis ka qenë pikëtakim dhe klub jo-formal i krijuesve dhe grupeve margjinale të Prizrenit, duke formësuar një kulturë alternative dhe subversive. E vendosur në përdhesën e shtëpisë historike të Shaip Spahiut, ajo ka qenë hapësirë e dëfrimit, lirisë, imagjinatës dhe tregimeve të anëtarëve udhëtues, përballë përkeqësimit të shpejtuar të rrethanave politike e ekonomike. Intervistat dhe kujtesat materiale të përbëra nga fotografi, kaseta, këngë dhe kartolina kanë ofruar bazën për një botim dhe prezantim të gjetjeve të dala nga faza e parë e projektit.
/Express/