Profesorin britanik s'e bindin amerikanët e evropianët, do finale me njohje reciproke e anëtarësim të Kosovës në OKB - Gazeta Express
string(116) "profesorin-britanik-se-bindin-amerikanet-e-evropianet-do-finale-me-njohje-reciproke-e-anetaresim-te-kosoves-ne-okb-2"

Profesorin britanik s’e bindin amerikanët e evropianët, do finale me njohje reciproke e anëtarësim të Kosovës në OKB

Besnik Veliu

29/09/2020 13:40

Profesori i London School of Economics and Political Science (LSEE), James Ker-Lindsay, i cili është njohës i zhvillimeve politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në përgjithësi zhvillimeve politike që ndërlidhen me sigurinë, në një intervistë për Gazetën Express, ka folur rreth marrëveshjes së Washingtonit mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndikimit të saj në aleancat e Beogradit me Moskën dhe Pekinin.

Lindsay teksa ka ndarë eksperiencën e tij në Qipro, thotë se marrëveshjet për krijimin e mirëbesimit s’kanë ndonjë ndikim të madh, ndërkohë shton se edhe strategjia e BE-së “pak nga pak” mund të zvarrisë procesin me vite.

Lexo Edhe:

Prandaj, Lindsay thotë se do të ishte shumë më mirë që të ketë shtytje të palëve drejt një marrëveshjeje finale që si rezultat do të ketë njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Gazeta Express: Në një këndvështrim më të gjerë, si i shihni zhvillimet e Washingtonit dhe a mendoni se aty ka diçka më shumë sesa, thjesht, marrëveshje ekonomike për autostrada dhe hekurudha?

Ker-Lindsay: Në përgjithësi, nuk isha i mahnitur me marrëveshjen. U ndjeva sikur ajo ofroi shumë pak të reja. Vërtet, sipas meje, ishte pak më shumë se një veprim për marrëdhënie me publikun për t’ia rritur gjasat për rizgjedhje z. Trumpit në kohën kur po shkojmë drejt zgjedhjeve presidenciale në nëntor. Shumica e të ashtuquajturës marrëveshje ishte thjesht një listë dëshirash e kërkesave të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë, Kinës dhe Iranit. Për më tepër, përfshirja e Izraelit në marrëveshje dhe konfirmimi se Beogradi dhe Prishtina do të kenë ambasada në Jerusalem në fakt kanë krijuar ndërlikime të të reja të konsiderueshme për Kosovën dhe Serbinë.

Gazeta Express: Çfarë kjo (marrëveshja e Washingtonit) nënkupton për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në Ballkan?

Ker-Lindsay: Në këtë fazë, është vështirë të thuhet. Vërtet nuk jam i sigurt aq shumë se marrëveshja në fakt do të zbatohet në fund dhe nuk jam i sigurt nëse dikujt i intereson shumë nëse ajo zbatohet apo jo. Përsëri, ajo ishte më shumë për fushatën zgjedhore sesa për gjithçka tjetër.

Gazeta Express: A po shkon përfundimisht Serbia drejt shkëputjes me Moskën.

Ker-Lindsay: Ka prirje të jetë kjo pikëpamje se Serbia është tërësisht në xhepin e Moskës. Nuk është ashtu. Historikisht, në fakt mes Serbisë dhe Rusisë ka shumë më shumë mosbesim sesa shumë njerëz e kuptojnë. Serbia nuk është përafërsisht aq pro-ruse sa shumë njerëz besojnë. Sidoqoftë, për aq gjatë sa Serbia konsideron që çështja e Kosovës është e pazgjidhur, ajo ka nevojë për përkrahjen e Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Kjo është diçka që i jep Rusisë përparësi ndaj Beogradit. Pra, unë nuk mendoj se kjo do të ketë një efekt vendimtar.

Meqë ra fjala, vlen gjithashtu të përmendet se gjendja e tanishme i jep Moskës përparësi efektive për të ardhmen e Kosovës. Shpresat e Kosovës për sigurim të pranimit të plotë ndërkombëtar dhe anëtarësim në OKB kontrollohen nga Rusia. Kjo nuk do të ndryshojë deri të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës.

Gazeta Express: A mendoni se miliardat e që Amerika do t’i investojë në Kosovë dhe Serbi do të lënë mënjanë ndikimin e Rusisë?

Ker-Lindsay: Përsëri, mendoj se është e rëndësishme të thuhet se Rusia nuk është partnerja kryesore ekonomike e Serbisë. Bashkimi Evropian është (partneri kryesor i Serbisë). Investimet e Shteteve të Bashkuara, nëse ato në fakt ndodhin, do të kenë një efekt, por jo aq shumë sa supozojnë shumë njerëz. Në nivelin politik, Rusia do të mbetet e rëndësishme për aq gjatë sa Serbia ka nevojë për përkrahjen e saj rreth Kosovës. Prandaj, nuk jam i sigurt që të folurit për investime do ta ndryshojnë situatën në mënyrë thelbësore.

Gazeta Express: A mendoni se kjo strategji amerikane do të dërgojë drejt një zgjidhje finale politike mes Kosovës dhe Serbisë?

Ker-Lindsay: Nuk mendoj kështu. Jam qartazi më në favor të përpjekjes për shtytje për një zgjidhje të rëndësishme politike sesa qasjes “pak nga pak” të BE-së, e cila mund të zgjasë me vite. Kam punuar shumë vjet rreth Qipros dhe kam parë sa pak mund të bëjnë “masat për ndërtimin e besimit”. Për këtë përpjekje, do të dukej më mirë që përqendrimi të jetë në çmimin kryesor të një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse që do të rezultojë në njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB.

Megjithatë, shumë do të varet nga rezultati i zgjedhjeve në nëntor. Është e qartë se Serbia, në veçanti, ka llogaritur se një fitore e Trumpit do të shërbejë më mirë për interesat e saj. Kjo administratë qartazi i ka dhënë Serbisë një vëmendje më të madhe se cilado administratë tjetër amerikane në 30 vjetët e kaluar. Njësoj, e di se shumë njerëz në Kosovë do të shpresojnë që Bideni të fitojë (kështu shpresojmë edhe shumë nga ne, për një varg arsyesh tjera), por unë në fakt mendoj se ky do të jetë hap prapa për përpjekjet për zgjidhje. Përderisa shumë në Kosovë mund të jenë të kënaqur për këtë, vlen të shqyrtohet fakti se çfarë do të nënkuptonte kjo në aspektin afatgjatë. A mund të vazhdojë Kosovë në këtë pozicion ndërkombëtar për 5 deri 10 vjet të tjerë?


Gazeta Express: Cili është opinioni juaj për politikanët në Kosovë që janë kundër marrëveshjeve të arritura në Washington?

Ker-Lindsay: Siç thashë, nuk jam veçanërisht i magjepsur me marrëveshjen e Uashingtonit si pako, por kuptoj se në nivelin dypalësh mes Kosovës dhe Serbisë, ajo rivendos shumë nisma të dobishme që vërtet kanë nevojë të zbatohen për të mirën e të dyja vendeve. Shpresoj që kjo të ndodhë. Për më tepër, përderisa jam skeptik për këtë marrëveshje, mendoj se është me rëndësi të arrihet një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim, gjithçka që e çon këtë përpara është e mirëseardhur. Përderisa shumë nga ata që janë kritikë të marrëveshjes së Uashingtonit janë sinqerisht të shqetësuar për përmbajtjen e saj specifike, ka shumë të tjerë që e kundërshtojnë atë thjesht pse është një marrëveshje me Serbinë. Prandaj, reagimi im më tepër varet në atë se pse dikush është kundër marrëveshjes, jo nëse ata janë kundër marrëveshjes.