Profesori amerikan për Express: Vuçiq bën çfarë do, zgjedhjet në Serbi nuk ndikojnë në dialog - Gazeta Express
string(91) "profesori-amerikan-per-express-vuciq-ben-cfare-do-zgjedhjet-ne-serbi-nuk-ndikojne-ne-dialog"

Profesori amerikan për Express: Vuçiq bën çfarë do, zgjedhjet në Serbi nuk ndikojnë në dialog

Albioneta Ademi

26/05/2020 18:52

Sipas profesorit amerikan, David L Phillips, Serbia është vend jodemokratik, dhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, nuk e ndikojnë Aleksandër Vuçiqin në negociatat me Kosovën.

Profesori amerikan, David L Phillips, i cili njeh zhvillimet në Ballkan për Gazetën Express ka thënë se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që pritet të mbahen më 21 qershor, nuk do të ndikojnë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Lexo Edhe:

Kjo, sipas tij, sepse Serbia është vend jodemokratik, e rrjedhimisht partia e presidentit serb, Aleksander Vuciq dhe ai vetë nuk do të mund të afektohen nga zgjedhjet.

“Vuciqi bën çfarë të dojë ai. Serbia është një shtet jodemokratik, kështu që rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk do të ndikojnë në dialog” , ka thënë Phillips

Nga ana tjetër, profesori amerikan thotë se Kosova duhet të krijojë koordinim dhe qartësi në udhëheqjen e dialogut me Serbinë.  

“Kosovës i duhet qartësi në udhëheqjen e dialogut. Duhet të ekzistojë një proces ku do të konsideroheshin pikëpamjet e kategorive të ndryshme të shoqërisë”, ka thënë analisti amerikan.

Sipas Phillips, Vuçiq ka “prioritete të tjera” dhe se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që “po e shtyjnë dialogun.

Analisti thotë se nuk ka ndonjë nguti që marrëveshja Kosovë – Serbi të arrihet sa shpejt, dhe sipas tij, Kosova duhet ta shfrytëzojë kohën që të nxjerrë një marrëveshje finale nga e cila do të përfitonte sa më shumë.

“Nuk ka asnjë nguti për përfundim të dialogut. Kosova duhet të shfrytëzojë kohën që të sigurohet që kushtet e marrëveshjes të jenë më të mirat të mundshmet për kosovarët”, ka thënë Phillps,

Ndërkaq, analisti gjerman, Bodo Ëeber, mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi e sheh si një nga arsyet që do të mund ta vononin dialogun.

“Çka do që të jetë, nëse dikush llogarit të gjithë rrethanat që ndikojnë në dialog – zgjidhja e votimit të mosbesimit, zgjedhjet në Serbi dhe masat ekzistuese për udhëtimet ndërkombëtare, për të mos folur për mosmarrëveshjet transatlantike mbi atë se kush e udhëheq dialogun – nuk e di se si do të mund të rinisnin bisedimet para gushtit”, ka thënë Ëeber të hënën për Gazetën Express.

Zyra e Richard Grenellit, i dërguar special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë të hënën për Expressin se negociatat do të rinisin sapo të krijojë Kosova Qeverinë e re.

“Ambasadori Grenell mbetet si emisar i Presidentit, dhe ai po shikon të vazhdojë dialogun sapo të përcaktohet formimi i Qeverisë së re të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Zyrës së Grenellit, Dick Custin.

Ndryshe, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka pushuar nga nëntori i vitit 2018, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifën ndaj produkteve serbe.

Kjo tarifë është hequr nga Qeveria e Albin Kurtit, për t’u zëvendësuar me reciprocitetin ndaj Serbisë, të cilën e ka kundërshtuar fuqishëm ambasadori Grenell. /Express/