string(69) "prizreni-mirepret-edicionin-ii-te-festivalit-nderkombetar-te-teatrove"

Arte

Donjeta Abazi

20/07/2023 16:06

Prizreni mirëpret Edicionin II të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove

Arte

Donjeta Abazi

20/07/2023 16:06

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove ‘Prizrenfest’ fillon më datë 22 korrik dhe do të zgjas deri më 28 korrik. Për rreth një javë në qytetin e Prizrenit do të zbarkojnë shfaqje nga brenda e jashtë Kosovës. Mes regjisorëve vendas e të huaj, aktivitet artistike, qofshin shfaqjet, konferencat apo punëtoritë do të mbahen në lokacione të ndryshme të qytetit.

Vendet që tradicionalisht njihen si pika kyçe ku zhvillohet jeta artistike në Prizren, presin këtë vit festivalin e teatrove. Lokacionet që do të mbahen aktivitet janë: Kino Lumbardhi, Sinan Pasha Kej, Abi Çarshia, Kino Plato dhe Katedralja Katolike e Zojës Ndihmëtare.

Në programin e këtij viti pos shfaqjeve nga: Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Sllovakia, Italia etj., do të mbahen edhe punëtori e konferenca. Punëtori vallëzimi me të rinj, punëtori për fëmijë, Konferencë (Organizuar në partneritet me Teatrin Kombëtar të Kosovës; Teatrin Kombëtar të Tiranës; Teatrin Shqiptar – Shkup), Konferencë në bashkëpunim me Artpolis.

Disa nga shfaqjet pjesëmarrëse të këtij edicioni janë:

‘Jeta është ëndërr’ (Bullgari), me regji të Dina Markova, prodhim i Zong Theatre, shfaqet me datë 28 korrik, me fillim nga ora 21:00, në Kino Lumbardhi.

‘Teba: Një luftë civile globale’ (Greqi), me regji të Pantelis Flatsousis, prodhim i Athens & Epidaurus Festival, shfaqet me datë 27 korrik, me fillim nga ora 21:00, në Kino Plato.

‘Mik-Mik’ (Kosovë), me regji të Kaltrim Balaj, prodhim i Teatrit Dodona dhe Buka Production, shfaqet me datë 27 korrik, me fillim nga ora 20:00, më Abi Çarshia.

‘Krokodili’ (Maqedoni e Veriut), me regji të Agon Myftarit, prodhim i Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj – Shkup, shfaqet me datë 26 korrik, me fillim nga ora 21:00, në Kino Lumbardhi.

‘Megalomania’ (Kosovë), me koncept dhe koreografi të Robert Nuhas, prodhim i Noa Dance Theatre Company, me datë 26 korrik, me fillim nga ora 20:30, në Sinan Pasha Kej.

‘Teatrosk’ (përformancë rruge), me datë 26 korrik, nga ora 20:00, në Abi Çarshia.

’21 e më tepër’ (Sllovaki), me tekst dhe koreografi të Tomas Danielis, prodhim i Radical Empathy, shfaqet me datë 25 korrik, me fillim nga ora 22:00, në Sinan Pasha Kej.

‘Gadjo’ (evropianet e rinj), (Kosovë / Shqipëri), me regji të Blerta Neziraj, prodhim i Qendrës Multimedia në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Tiranë, shfaqet me datë 25 korrik, me fillim nga ora 21:00, në Katedralen Katolike të Zojës Ndihmëtare.

‘Ifigjenia’ (Mal i Zi), me regji të Zoran Rakoçeviq, prodhim i Qendrës Kulturore Kolashin në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Vojislav Bulatović – Strunjo dhe Korifej Teatar, shfaqet me datë 24 korrik, me fillim nga ora 21:30, në Kino Lumbardhi.

Të tjerat: ‘LA morteana’ (Itali), ‘Tomi e Xheri’ (Kosovë), ‘Tatuazhi i Trëndafilit (Kosovë), ‘Aurora’ (Çeki), ‘Babai dhe Babai’ (Kosovë), ‘Çelësi Magjik’ (Kosovë), ‘Maidan Inferno (Ukrainë/Francë).

Për festivalin:

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Hapur – PRIZREN FEST, është i përkushtuar për të promovuar zhvillimin e artit teatror dhe për të ofruar një përvojë unike kulturore për audiencën duke organizuar një festival vjetor të teatrove në ajër të hapur. Për të shfaqur shfaqje teatrale me cilësi të lartë, për të mbështetur artistë të rinj dhe të afirmuar, duke nxitur mirëkuptimin kulturor dhe kohezionin social, duke frymëzuar të rinjtë për t’u angazhuar me artin dhe duke kontribuar në zhvillimin kulturor dhe ekonomik të komunitetit në përgjithësi.

Fushat artistike që janë prekur në vitin 2022 (Edicioni i parë) dhe do të jenë pjesë e programit për vitin 2023 (Edicioni i dytë) janë: teatri, teatri i vallëzimit, muzika, trashëgimia kulturore, artet e aplikuara, poezia, letërsia, etj. Fusha e aktiviteteve do të jetë në të gjithë qytetin, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e përshtatshme që janë në dispozicion në Prizren.

Edicioni i parë i festivalit u mbajt për 5 net të plota në qytetin e bukur të Prizrenit/Kosovës, duke pritur shumë artistë profesionistë nga Italia, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Turqia.

‘Prizrenfest’, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur, këtë vit shënon edicionin e dytë me radhë.

Ditë më parë organizatoret hapen thirrje publike për vullnetarë, grupe mosha të reja që të bëhen pjesë e festivalit.

/Gazeta Express