Presidentja u kërkon partive të vogla ta zbatojnë aktgjykimin, një parti e madhe sot çoi kërkesë të re në Gjykatë - Gazeta Express
string(112) "presidentja-u-kerkon-partive-te-vogla-ta-zbatojne-aktgjykimin-nje-parti-e-madhe-sot-coi-kerkese-te-re-ne-gjykate"

Gazeta Express

03/07/2025 20:15

Presidentja u kërkon partive të vogla ta zbatojnë aktgjykimin, një parti e madhe sot çoi kërkesë të re në Gjykatë

Gazeta Express

03/07/2025 20:15

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot takime konsultative me liderët e partive Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe të Koalicionit VAKAT, në kuadër të ciklit të ri të konsultimeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Këto takime vijnë pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili e përcakton qartë se konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditësh, si një detyrim kushtetues dhe jo një opsion politik.

Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është obligim kushtetues për të gjithë dhe kërkoi nga liderët politikë që të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, në shërbim të interesit qytetar dhe funksionimit të shtetit.

Ajo paralajmëroi se vonesat në konstituim po shkaktojnë një vakuum institucional që dëmton demokracinë dhe pengon funksionimin normal të shtetit. Si garantuese e rendit kushtetues dhe unitetit të popullit, Osmani u zotua se do të vazhdojë takimet me përfaqësuesit e partive të tjera parlamentare në ditët në vijim, për të gjetur një zgjidhje brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.

Theksojmë se Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.

Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:

         •           Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;

         •           Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;

         •           Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.