Presidenti Trump mohon të ketë gabuar në bisedën me homologun ukrainas


Gazeta Express
23 Shtator 2019 0:43

Presidenti amerikan Donald Trump tha të dielën se nuk kishte bërë asgjë gabim në një bisedë telefonike me presidentin e ri të Ukrainës, duke iu referuar lajmeve se zoti Trump e kishte nxitur atë që të bënte hetime lidhur me djalin e ish-nënpresidentit dhe kandidatit demokrat për president, Joe Biden.

Duke folur me gazetarët, zoti Trump e cilësoi telefonatën me Presidentin Volodymyr Zelensky si “absolutisht të përkryer”.

“Biseda me të ishte përgjithësisht për ta uruar, folëm kryesisht për korrupsionin, korrupsioni i madh. Kishte të bënte kryesisht me faktin se ne nuk duam që njerëzit tanë, si nënpresidenti Biden dhe djali i tij, të kontribuojnë në korrupsionin që ekziston në Ukrainë”, tha zoti Trump.

Sipas njoftimeve të medias, presidenti amerikan e kishte nxitur zotin Zelensky rreth tetë herë gjatë bisedës së tyre që të hetonte të birin e zotit Biden. Sipas disa burimeve, synimi i zotit Trump ishte që të bindte zotin Zelensky të bashkëpunonte me avokatin e zotit Trump, Rudolph Giuliani për një hetim që mund të sabotonte zotin Biden.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Vadym Prystaiko të shtunën mohoi që zoti Trump i kishte bërë presion zotit Zelensky gjatë telefonatës, duke i thënë organizatës mediatike Hromadski se Ukraina nuk do të merrte pozicione në politikën amerikane.

Presidenti Trump dhe zoti Guiliani kanë bërë thirrje prej javësh për një hetim për familjen Biden, pas njoftimeve të mediave këtë vit sipas së cilave një kompani energjitike ukrainase ishte përpjekur të siguronte ndikim në Shtetet e Bashkuara duke punësuar të birin e zotit Biden, Hunter.

Demokratët po e dënojnë atë që ata e shohin si fushatë të bashkërenduar për të goditur zotin Biden, emri i të cilit është përzier në ankesën e një punonjësi të paidentifikuar të zbulimit, i cili kishte shprehur shqetësime për veprimet e zotit Trump lidhur me familjen Biden.

Te fundit


Kthehu lart