Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë: Votat shqiptare do të jenë të bashkuar në UEFA dhe FIFA


Gazeta Express
20 Mars 2019 20:58

Presidenti shqiptar i porsazgjedhur i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini, ka premtuar se votat e tri federatave të futbollit, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, do të jenë një zë në UEFA.

Për herë të parë shtëpia maqedonase e futbollit do të drejtohet nga një shqiptar, Sejdini, i prej vitit 2013 deri tani ka qenë në detyrën e zëvendëspresidenti të këtij institucioni, shkruan Gazeta Express.

Ai ka folur për Top Channel pasi ditë më parë u zgjodh president i FFM-së, duke dhënë se ka marrëdhënie shumë të mira me udhëheqësit e dy federatave shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Më besoni që tre votat tona janë një zë në UEFA, ne jemi tre presidentë. Edhe kur kam qenë si zëvendës gjithmonë kemi qenë të bashkuar dhe kjo u dëshmua kur Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA, si dhe kur Duka u emëruar në këshillin ekzekutiv të UEFA, ia uroj atij postin sepse është gjë e madhe që një shqiptar të hyjë aty për herë të parë”, tha Sejdini.

I pyetur nëse ai dhe homologët e tij, Armando Duka i Shqipërisë dhe Agim Ademi i Kosovës luftojnë mes vete për futbollistët shqiptarë, ai tha se u takon futbollistëve të zgjedhin për kë duan të luajnë.

“Ne kemi raporte shumë miqësore me Agim Ademin e FFK-së dhe Armando Dukën e FSHF-së, kështu që kjo u mbetet vetëm futbollistëve. Është dëshira e futbollistit se ku dëshiron të luajë, ta zgjedhë Kombëtaren e Shqipërisë, Maqedonisë apo Kosovës”, shtoi ai.

Në Kuvendin zgjedhor të Federatës së Futbollit, shqiptari Muhamed Sejdini është zgjedhur me shumicë votash. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart