Presidenti e kujton Ukshin Hotin, s’premton asnjë angazhim për gjetjen e tij


Gazeta Express
16 Maj 2019 8:32

Më 16 maj 1999, kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe, por dhe pse doli nga burgu, ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij. Për të nuk di as presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një postim të tij në Facebook përveç që ka treguar se kush ishte Hoti, nuk ka dhënë asnjë shpresë që shteti që ai udhëheq do të angazhohet për gjetjen e tij.

“U bënë njëzet vjet dhe ende nuk është i qartë fati jetësor i profesorit Ukshin Hoti, njërit prej intelektualëve më atdhetarë të Kosovës. Ukshin Hoti ishte njeri jokonformist, i radhitur nga zëri dhe ideali i popullit që i përkiste”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Sipas tij, në vitin 1981, si rrallëkush nga elita intelektuale, në mënyrë shkencore arsyetoi dhe mbrojti kërkesën për Republikën e Kosovës.

“Ukshin Hoti u dënua me burg nga gjyqet jugosllave. Shquhej për guxim intelektual, temperament autentik dhe i gatshëm për të reaguar në çdo kohë për të drejtën dhe lirinë e Kosovës. Ishte nga intelektualët e pakët që në mënyrë programatike kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai u riburgos në periudhën më të rëndë gjatë viteve 90-të të shekullit që shkoi dhe përjetoi persekutime të mëdha burgjeve të Serbisë dhe së fundmi në Kosovë”.

“Fatkeqësisht ende nuk dihet se ç’ndodhi me profesorin Ukshin Hoti pas lëshimit nga burgu i Dubravës më 16 maj 1999. HTH”, ka shkruar ai.

Më 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, i cili bombardohet nga NATO.

Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serbë radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut.

Rojet dhe paramilitarët serbë zbrazin plumbat e tyre te të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë.

Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre. Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë.

Hoti ishte veprimtar dhe intelektual i shquar politik në Kosovë.

Për nder të veprës së veprimtarit Ukshin Hoti, sot në orën 16:00 në Institutin Albanologjik mbahet tryezë përkujtimore.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart