Presidenti çek e përjeton rëndë humbjen, i thotë Vuçiqit se nuk i pëlqen Kosova


Gazeta Express
10 Shtator 2019 17:53

Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman, duket se e ka përjetuar rëndë humbjen e kombëtares së tij në “Fadil Vokrri” me rezultat 2:1 në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Derisa ka mbërritur të martën në Beograd, ku është pritur nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, Zeman në gjuhën angleze ka thënë “ E dua Serbinë dhe popullin serb”, shkruan New York Times, transmeton Gazeta Express.

Më pas Zeman me zë më të ulët ka pëshpëritur “ Dhe nuk më pëlqen Kosova”, ndërkohë kreu i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ia ka kthyer me “Faleminderit”.

Megjithatë kjo nuk është deklarata e vetme që presidenti çek ka bërë kundër Republikës së Kosovës.

Ditë më parë teksa ka folur për një medium proserb, Zeman ka thënë që  Praga zyrtare edhe përkundër faktit që mund të jetë shumë e vështirë, mund të të tërheq njohjen për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“E vlerësoj qëndrimin e Lubomir Metnar (ministër i mbrojtjes), i cili ka thënë se njohja e Kosovës ka qenë një gabim diplomatik. Ndaj të njëjtin opinion, dhe nëse më shumë shtete tërheqin njohjen, Republika Çeke mund të jetë krah tyre”, ka thënë Zeman më 6 shtator, pozita administrative e të cilit ka më shumë ceremonial, raporton Gazeta Express.

Në këtë  intervistë për mediumin pro-rus Parlamentnji Listi, Zeman ka thënë se “kriminelët e luftës nuk duhet të drejtojnë asnjë vend në Evropë”.

Ndërkohë teksa kishte paralajmëruar vizitën e tij në Beograd ditë më parë, Zeman kishte thënë se e dëshiron integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por thotë që jo edhe Republikën e Kosovës.

“Ne mbështesim rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin gradual drejt BE-së. Por gjithmonë them , pa Kosovën. Kështu që Kosova do të jetë një prej temave në takimet e mia në Beograd”, kishte thënë Zeman ndër të tjera.

Republika e Çekisë është një prej 23 shteteve të Bashkimit Evropian që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

 Presidenti 74 vjeçar i Çekisë është i njohur për qëndrimet e tij atakuese dhe për gafat diplomatike./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart