Presidenca: Përfaqësimi në takimin e Pragës i barabartë, me emrat e liderëve - Gazeta Express
string(74) "presidenca-perfaqesimi-ne-takimin-e-prages-i-barabarte-me-emrat-e-lidereve"

Lajme

Gazeta Express

05/10/2022 16:39

Presidenca: Përfaqësimi në takimin e Pragës i barabartë, me emrat e liderëve

Lajme

Gazeta Express

05/10/2022 16:39

Për herë të parë nesër do të mblidhet Komuniteti Politik Europian, një nismë e propozuar nga presidenti francez Macron, i cili për qëllim ka të bëjë bashkë shtetet europiane për të nxitur dialogun politik dhe bashkëpunimin mes tyre në çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Europë.

Në këtë samit do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot ka udhëtuar drejt Pragës me ftesë të Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala.

Lexo Edhe:

Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të Këshillit Europian, Kosova paraqitet si vend pjesëmarrës me fusnotë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka thënë se e kanë konfirmimin nga organizatorët se të gjitha shtetet pjesëmarrëse të samitit do të trajtohen barabartë.

“Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Pragë do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Ne e kemi konfirmimin me shkrim nga organizatorët se të gjitha shtetet në samit, do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, me emrat e liderëve, sipas formulës së përdorur edhe në takimet e tjera, në samitet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kupina.

Siç njofton Presidenca, krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Europian, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë europianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

“Para liderëve europianë, Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë. Gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Komuniteti Politik Europian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera europiane.