Presidenca Maqedonase për tubimin me “Authoctonous”: Reagimet s’ishin për Kurtin, por për nikoqirët që e pritën atë - Gazeta Express
string(110) "presidenca-maqedonase-per-tubimin-me-authoctonous-reagimet-sishin-per-kurtin-por-per-nikoqiret-qe-e-priten-ate"

Presidenca Maqedonase për tubimin me “Authoctonous”: Reagimet s’ishin për Kurtin, por për nikoqirët që e pritën atë

Lajme

Gazeta Express

24/08/2023 12:52

Një flamur “Authoctonous” i ngritur gjatë një tubimi në Tetovë për shkak të vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka nxitur reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet maqedonase janë vënë në kërkim të autorit që ngriti flamurin, ndërkohë që kanë reaguar edhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski e kryeministri Dimitar Kovachevski.

Besnik Velija

Lexo Edhe:

Por, a ka pasur ndonjë efekt negativ në raportet në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës një vizitë e tillë e kryeministrit Albin Kurti në Tetovë. Lidhur me këtë Gazeta Express ka dërguar pyetje në Presidencën e Maqedonisë së Veriut.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Presidenca maqedonase kanë thënë se presidenti Pendarovski ka folur publikisht për këtë çështje dhe ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti nuk ishte çështje diskutimi.

“Presidenti ka theksuar se të dy vendet kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe ai vetë e ka takuar z.Kurti disa herë dhe kanë raport pozitiv”, ka thënë për Express zëdhënësja e Presidencës së Maqedonisë së Veriut, Bilijana Radeva.

Zëdhënësja e Presidencës së Maqedonisë së Veriut ka thënë se reagimet e presidentit Pendarovski kanë qenë të drejtuara ndaj nikoqirëve që e kanë pritur Kurtin dhe që si parti të reja opozitare po përdorin simbole për të ndërtuar profilin e tyre tek votuesit.

“Reagimi i presidentit iu drejtua mikpritësve të tij, të cilët tani po ndërtojnë subjekte të reja politike opozitare dhe po përdorin simbolet për të ndërtuar profilin e tyre tek votuesit e mundshëm”, ka thënë tutje Radeva për Express.

Zëdhënësja Radeva ka thënë se përgjatë vizitës dhe qëndrimeve në Tetovë e Çair, s’është identifikuar ndonjë shprehje e Kurti që mund të ketë ofenduar Maqedoninë apo popullin Maqedonas.

“Gjatë vizitës së tij dhe në deklaratat e tij në Çair dhe Tetovë, presidenti tha se nuk mund të identifikojë formulimin me të cilin z. Kurti ofendoi Maqedoninë apo popullin maqedonas”, ka potencuar Radeva për Express.

Për këtë ngjarje në Tetovë ka pasur reagime dhe nga Serbia, duke thënë se kryeministri Albin Kurti po “promovon Shqipërinë e Madhe”.

Për këtë vizitë të kryeministrit Albin Kurti në Tetovë është pyetur edhe Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, duke thënë se Washingtoni nuk mbështet as “Shqipërinë e Madhe” e as “Serbinë e Madhe”./GazetaExpress/