Prekazi: Siç e kam thënë, koha është duke punuar për futbollin e Kosovës


load
Gazeta Express
11 Qershor 2019 23:28

Trajneri i ekipit kombëtar U21 të Kosovës, Rafet Prekazi, është shumë i lumtur me fitoren e verdhekaltërve ndaj Turqisë U21 në ndeshjen e së martës kualifikuese për Kampionatin Evropian U21.

Kosova e ka vazhduar ecurinë e përkryer duke e mposhtur 3:1 Turqinë U21 në Prishtinë dhe tani është lidere e Grupit 3 kualifikues për Kampionatin Evropian U21, raporton Gazeta Express.

Golat nga Arbenit Xhemajli, Mirlind Daku dhe Lirim Kastrati i mjaftuan kombëtares dardane ta mposhtë Turqinë në ndeshjen e rrethit të tretë kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2021 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Ky triumf nënkupton se verdhekaltrit tani janë lider të Grupit 3 me gjashtë pikë nga dy ndeshje, dy më shumë se Turqia, e cila madje e ka zhvilluar një ndeshje më shumë.

Prekazi beson se koha është duke punuar për futbollin kosovar, derisa shpreh lumturinë me paraqitjet e djelmoshave të tij.

“Jam shumë i lumtur me këtë fitore, përgëzoj lojtarët për një ndeshje fantastike të zhvilluar sot. E kam thënë edhe më herët dhe do ta them vazhdimisht që koha është duke punuar për futbollin e Kosovës. Më vjen mirë që kishte shumë tifozë të pranishëm, falënderoj Dardanët të cilët na dhanë një përkrahje të madhe gjatë gjithë ndeshjes. Për një ekip që është pranuar që dy vite në UEFA, 7 gola për dy ndeshje mendoj që nuk janë pak”, tha Prekazi. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart