Prek me fjalët e saj e moshuara: Përpara se të mbyll sytë e të shkoj tek djali im, kam një amanet për shqiptarët


Gazeta Express
18 Korrik 2019 16:33

Më shumë ka kafshë sesa njerëz, në vend të zërave njerëzorë dëgjon lëvizjet e gjarpërinjve që i hyjnë në banesë. Shtëpia po ashtu, e kalbur dhe e lodhur nga barra e viteve është gati të shembet. Brenda saj jetojnë 4 persona, dy jetimë 7 dhe 12 vjeç, dhe dy gra me të zeza. Njëra prej tyre, Njoftimja, është gruaja që ka humbur të birin, kurse tjetra, Vjollca është nëna e dy jetimëve. Familja Gjini jeton në një fshat të largët të Shqipërisë (Belishovë) dhe historia e tyre është me të vërtetë prekëse.

Emisioni “shqiptarët për shqiptarët” e prezantoi historinë e kësaj familje, të cilën e rrëfen fillimisht Vjollca, nëna e dy fëmijëve jetimë. Ajo është e re në moshë, por dhimbja që ka përjetuar prej 6 vitesh e ka thinjur dhe lodhur tej mase. Përveçse varfërisë së madhe dhe humbjes së të shoqit, Gramozit, Vjollca tregon dhe një tjetër ngjarje të rëndë, atë që u bë shkas që i shoqi të sëmurej dhe pas 6 vitesh në dhimbje, të humbte jetën.

Vjollca: Quhem Vjollca Gjini. Jetoj këtu në mes të pyllit me dy fëmijët dhe me vjehrrën. Im shoq punonte në Greqi, punë bujqësie ndërsa unë qëndroja këtu me prindërit e tij. Me ato të ardhura diskutuam dhe vendosëm që të merrnim një apartament në Fier. Rreth 52 milionë na kushtoi. Kur shkojmë atje, apartamenti ishte shitur sërish, tek një tjetër person. Im shoq u shqetësua shumë, nga vuajtjet e mëdha dhe sakrifica e madhe që kish bërë në Greqi. Pas dy javësh, u sëmur. Vuajti 6 vite me atë siklet…dhe vdiq, iu prish gjaku iu kthye në ujë… kishte ëndërr të shkollonte fëmijët në qytet, por ëndrra e tij vdiq ashtu si unë.

Me lotë në sy, Vjollca tregon momentet e fundit të të shoqit, para se ai të jepte shpirt dhe të largohej i brengosur nga kjo botë ku la të vetëm dy fëmijët.

Vjollca: Im shoq më shtyu tutje kur po jepte shpirt. Më shty tutje, nuk fliste dot por më bëri me shenjë. Kisha dhe fëmijët aty dhe ma bëri me shenjë, më tha largoji sepse e kuptoi që do të vdiste. Ai ka qenë momenti më i keq i jetës sime. Fëmijët ishin në dhomën tjetër në momentin që babai i tyre vdiq dhe unë mbeta tek dera. Nuk përqafova as fëmijët e mi. Mbeta aty në derë… vajza më pyet herë pas here o ma kur do të kthehet babi… nuk di ç’ti them.

Këtu është frikë, rreth e rrotull ka shumë gjarpërinj. Shtëpia është e vjetër dhe kam frikë mos na shembet në kokë. Trarët i janë kalbur dhe shpesh herë fëmijët më sëmuren. I marr në krahë për t’i çuar në spital.

Thellësisht prekës është momenti kur 74 vjeçarja që e ka humbur të birin, flet për të. Duket sikur kjo grua e moshuar e përjeton humbjen e të birit tek çdo fjalë që thotë për të.

Nëna: Djali që më iku më ka lënë dy zogj (fëmijë). 90 mijë lekë marrim gjithsej asistencë. Me ato mbijetojmë. Kështu kemi mbetur, por mbase ka njerëz me zemër të madhe, mbase Zoti na ndihmon. Vendin atje e kisha unë, jo djali im. Shpresoj të mbyll sytë pastaj, të rregullohen këta fëmijë… se mbase ka Zot, unë kaq dua. Sytë e mi nuk janë shterur, jo për këtë një vit që nuk e kam parë tim bir, por prej 6 vitesh qëkur ai është sëmurë. Nëna nuk ka çfarë të thotë më shumë, nuk flas dot më, më është tharë buza.

Emisioni “shqiptarët për shqiptarët” e vizitoi familjen Gjini. Sidrit Bejleri kur mbërriti në banesën e dy jetimëve e pa nga afër se në çfarë gjendje të rëndë ndodhet shtëpia. Por ai ka ardhur me një lajm të mirë për familjen.

Sidrit Bejleri: Shumë larg këtu nënë, disa herë na mbetën makina derisa erdhëm këtu.

Nëna: Jemi dobët ekonomikisht. Nuk e përballojmë dot.

Vjollca: Më kërkoi vajza të festonte ditëlindjen mora një tortë dhe pak mish. Vajza u gëzua shumë.

Nëna: Ju shikoja në televizor tek emisioni, ju e vini dorën në zemër. Shikonim kur dhuronit shtëpi.

Sidriti: Erdhëm se na thanë që këtu jetoni shumë keq. Tani do të lëvizim të gjithë bashkë.

Dhe ashtu ndodh. Bejleri ndihmon të moshuarën të zbresë deri pranë makinës dhe e gjithë familja niset drejt qytetit të Fierit. Makina ndalon në hyrjen e një pallati dhe pasi ngjiten disa shkallë, Sidrit Bejleri i jep çelësin e banesës së tyre të re të moshuarës. Fjalët e saj prekën shumë shqiptarë.

Sidriti: Merre këtë çelësin nënë…

Gjyshja përqafon Sidritin dhe hap derën e banesës së saj të re. Të gjithë përloten, e sidomos e moshuara e cila i falënderoi nga zemra të gjithë ata që ndihmuan.

Nëna: Lum nëna që ju ka rritur. Lum nëna për atë zemër tuaj dhe shpirtin tuaj. Shpëtuat këta fëmijë.

Sidriti: Amaneti i Gramozit që la kur iku, pavarësisht se nuk na erdhi neve… ne s’mundemi ta kthejmë atë sepse e cakton ai lart, por la amanet dy fëmijët e tij. Ai e bëri gjithë mundin gjatë jetës por ashtu erdhën rrethanat. Por ama, shqiptarët nuk e kanë harruar atë amanet të tij.

Vjollca: Ju falënderoj, më kujtuat fjalët e tim shoqi e cili më thoshte që të bëhesha e fortë për fëmijët, në kohën kur ai ishte në fund të jetës së tij.

Por kush ishte shqiptari që ndihmoi ekonomikisht familjen Gjini? Ai është një biznesmen shqiptar, i cili pasi ka parë rastin ka vendosur të ndihmojë dy jetimët.

Xhoan Kuka: Ne ishim atje e prekëm nga afër hallin, kolegu im më tha pasi e pamë këtë do kemi nevojë për psikolog. Ishin vërtetë ekstrem ajo varfëri që pamë. Kemi reflektuar dhe në të ardhmen do bëjmë të tjera vepra humane. Është shumë e vështirë ta besosh që ka familje që banojnë në kushte të tmerrshme. Jetonin 40 minuta larg në një fshat të braktisur dhe i vetmuar. Zonja e shtëpisë i mbante fëmijët brenda pasi rrezikoheshin nga gjarpërinjtë e merimangat e rrezikshme. Ata fëmijë ishin të ngujuar brenda shtëpisë.

Elvis Naçi: Po bëjmë një projekt, të fillojmë të ndërtojmë pallate për të varfrit. Shqiptarëve t;’ja kursejmë paratë, sepse kur e ndërton vetë është ndryshe. Psh ka shumë firma që duan të ndihmojnë dhe e kanë më të lehtë të japim një mall sesa para kesh. Shpresoj që në edicionin tjetër të jetë një gjë e bukur dhe e mirë dhe një përkrahje e madhe për familjet që ne ndihmojmë.

Te fundit


Kthehu lart