Prapaskenat e krijimit të partisë së Hajdarit, kundërshtitë: S’bëhemi si Genc Pollo!


Gazeta Express
20 Prill 2019 21:27

Kryefjala e një të shtunë pa ngjarje ishte sot vendimi i Rudina Hajdarit, vajzës së ish-deputetit të vrarë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari për të ngritur një parti të re, “Bindja Demokratike”.

Ky lajm padyshim ekzaltoi socialistët, dhe mediat pranë qeverisë, që nxituan të thonin se Hajdari është gati tashmë për t’u regjistruar në zgjedhje.

Platforma është shpalosur nga Rudina Hajdari në një mbledhje grupi, ku nga 7 deputetë të paktën, dy prej tyre nuk kanë marrë pjesë.

Deputetët që kanë marrë pjesë në këtë mbledhje nuk kanë ende një qëndrim zyrtar, por ata ia kanë thënë në sy Hajdarit se nuk kanë në plan të marrin rrugën që mori dikur, Genc Pollo me “Partia Demokratike e Re”, e më pas u rikthye në strofullën e Berishës.

Burime për Dosja.al sqarojnë se mbledhja nuk ka qenë e qetë. Të tjerë deputetë janë shprehur kundër aktivizimit në një parti ku bën pjesë Astrit Patozi, apo të tjerë emra që u larguan nga PD për shkak të pakënaqësive me Bashën.

Të njëjtat burime shtojnë se Hajdari nuk e ka ende një vendim zyrtar krijimin e Partisë “Bindja Demokratike”, ose të paktën ajo nuk ua komunikuar këtë gjë.

Në mbledhjen e sotme, Hajdari, vetëm e ka diskutuar ngritjen e një partie të re brenda të djathtës.

Dy deputetët Myslim Murrizi dhe Korab Lita, kanë lënë të kuptohet se nuk e presin krahëhapur këtë vendim të Hajdarit.

Murrizi tha se nuk ka qenë as në mbledhje, ndërkohë që Lita, ka qenë edhe më i prerë kur thotë se nuk ka dijeni për këtë çështje dhe nuk do që të komentojë.

Mbetet me interes për t’u parë në ditët e ardhshme, vijimësia e këtij diskutimi dhe a do të formalizohet krijimi i një partie të re politike brenda një të djathte, që sot ndodhet në rrugë.

A do të bëhet pengesë prania e “Gardës së Vjetër” të qeverisë Berisha, për një Parti të Re? Kjo do të provohet shumë shpejt!

Te fundit


Kthehu lart