Pranuan fajësinë për vjedhje pylli, dënohen me nga 200 euro gjobë e gjashtë muaj burgim


Gazeta Express
16 Shtator 2019 12:55

Me nga 200 euro gjobë dhe me nga gjashtë muaj burgim me kusht, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, dy të akuzuarit për vjedhje pylli, Canë Berisha dhe Fuad Ramqaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën, dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk do të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale brenda dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, për shkak të kushteve të dobëta ekonomike, të akuzuarit janë liruar nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Shaqë Curri, menjëherë pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarve, në seancën fillestare.

Pasi që aktakuza është konsideruar e lexuar, të pandehurit secili veç e veç, e kanë pranuar fajësinë, duke thënë se një vepër të tillë penale e kanë kryer për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Prokurorja Suada Hamza, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, e më pas e ka aprovuar edhe gjyqtari Curri.

Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, Canë Berisha dhe Fuad Ramqaj, akuzohen se më 25 mars 2018, në pyllin e mbrojtur në fshatin Shtupeq, në Bjeshkët e Nemuna të Rugovës, në bashkëveprim dhe me qëllim të vjedhjes, kanë prerë 13 trungje të llojit ”ahu”, me vëllim të përgjithshëm 3.501 metër kub.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vjedhjes së pyllit. /BetimipërDrejtësi

Te fundit


Kthehu lart