Pranë vdekjes! Kush është i riu që ka prekur dhe përlotur zemrat e shqiptarëve në Malin e Zi


Gazeta Express
23 Korrik 2019 19:17

I ka vetëm 20 vite jetë dhe rrezikon të shuhet shpejt. Një sëmundje e rrallë dhe e rëndë e ka prekur. Emro quhet i riu shqiptar që sot po lufton me një formë të kancerit në gjak, teksa deri më tani mjekët kanë dhënë pak shpresë për të. E vetmja mënyrë që ai t’i mbijetojë kësaj sëmundje të rëndë mbetet një transfuzion i veçantë i gjakut, i cili kushton tepër shtrenjt.

Emro Abazi prej 9 muajsh ka përballuar në trupin e tij 9 kimioterapi. Madje prej disa ditësh edhe nëna e babai i tij e shohin prej xhamit në spital, pasi ai është izoluar nga mjekët. Imuniteti i tij është i dobët dhe duhet të ruhet nga kontakti pasi rreziku është i lartë.

Rasti i Emros u transmetua në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”. Elvis Naçi i bëri thirrje shqiptarëve që ta ndihmojnë këtë 20 vjeçar, pasi operacioni për të kushton 450 mijë euro, para që fatkeqësisht familja e tij nuk ka mundur t’i gjejë.

Elvis Naçi: Disa miq u bënë sebep për këtë rast. Emro është një djalë i ri nga Ulqini. Të them të drejtën, rasti i tij është specifik, po lufton me vdekjen. Duke biseduar, disa miq janë në rreshtin e parë. Ndamë bisedën dhe kur folëm, u diskutua me shumë emocion. Njerëzit e afërt të tij janë përballur me një sprovë të madhe..

E veçanta e këtij rasti është se bëhet fjalë për një shumë të madhe, bëhet fjalë për 450 mijë euro. Për Emron është hapur një go fund me e veçantë. Pra nëse bashkohen 450 mijë shqiptarë me një euro atëherë kjo realizohet, apo sikur të bashkohen 45 mijë vetë nga 10 euro dhe çështja u mbarua. Fondacioni ynë do të kontribuojë 5100 euro, 100 janë shtesë sepse ato do t’i jap unë.

Në emision folën xhaxhai, halla dhe motra e Emros. Halla e të riut tregoi më shumë detaje në lidhje me sëmundjen që e ka goditur Emron. E përlotur ajo tha se kur Emro shkoi në spital, i tha vetëm të atit ndërsa të tjerëve ia mbajti të fshehtë.

Halla: Sëmundja e Emros është sëmundje e gjakut,( Non-Hodgkin limfoma- kancer i gjakut) dhe ai ka llojin më të rëndë të sëmundjes. Prej ditës që është zbuluar, ai është në stadin e katërt. Emro nuk ka pasur asnjë shenjë që ta paralajmëronte se trupi i tij nuk është mirë. Prej nëntorit djali është në trajtim ai ka bërë 9 kimioterapi. Nga muaji maj ka agravuar situata. Kemi gjetur një spital në Gjermani, në Këln, që merret me këtë sëmundje. Emro është në një grup me njerëzit që janë shëruar. Na thanë atje që djali mund të shërohet, fati i tij që është i ri dhe mund të shërohet. Terapia e re ka të bëjë me modifikimin e qelizave të gjakut, është fjala e fundit e shkencës kthehet në Amerikë atje e modifikojnë dhe futet në vena. Besojmë se Zoti i madh dhe kontributi i tyre do ta shërojë, Emro ka qenë në kontakt me njerëzit në Amerikë që janë shëruar. Kur shkoi në spital, iku vetëm me babain… neve nuk na tha asgjë.

Motra e Emros: Për hatër të nënës dhe babës… ai më shumë po shikon hatrin tonë aqsa një moment më tha që shyqyr më ra mua kjo sëmundje se po t’ja kishte çuar Zoti ndonjërit prej juve, nuk do e përballoja. Ai ka qenë gjithmonë shumë i dashur dhe i mirë, kurrë nuk ka dashur më shumë se ç’ka i ka takuar. Kam dy ditë që nuk kam folur me të. Ai është në Gjermani dhe është izoluar në një dhomë atje në spital.

Halla: Në spital kur më kanë pyetur a i keni paratë, i kam thënë që ne personalisht nuk i kemi porse jemi shqiptarë dhe të gjithë do na ndihmojnë që Emro të mbijetojë. I kam thënë mjekëve që shqiptarët do bëjnë çmos që Emro të jetë gjallë. Këto ditë Emro është izoluar pasi imuniteti i tij është shumë i dobët. Këto ditë nuk kemi komunikuar me të, pasi është e pamundur. Nëna dhe babai i tijh rrinë dhe e shohin të birin nga xhami. Kanë 9 muaj që e shohin të birin të vuajë dhe të shuhet pak nga pak.

Xhaxhai i Emros e ka të vështirë t’i nxjerrë fjalët, por thotë se i gjithë Ulqini dhe shqiptarët atje kanë ndihmuar me të holla. Madje shumë biznese kanë punuar ditë të plota dhe paratë i kanë dhuruar për shërimin e të riut.

Munib Abazi, xhaxhai i Emros: Në momentin e lajmit për Emron, kanë ndërprerë njerëzit gjithçka. Është e pamundur ta kuptojmë sesi i gjithë qyteti ka ndalu për me e ndihmu Emron. Të gjithë po punojnë për të, nga miqtë e tij e deri tek familjarët. Megjithatë ne jemi të vegjël si popullatë… por ju kemi ju. Sot ne jemi këtu pranë jush t’ju falenderojmë. Do kisha pasur kënaqësi që sot t’i puthja të gjithëve duart e këmbët dhe të lutesha që askujt të mos i ndodhte kjo sprovë e vështirë. Unë pulibkisht do t’i falënderoj të gjithë, sepse të gjithë po punojnë për Emron në Ulqin.

Elvis Naçi: Fotot e Emros nuk janë të sotmet normalisht, pasi Emro ka kaluar deri më tani 9 kimioterapi dhe ai është dobësuar. Do t’i kërkoja atyre që na ndjekin, që le të bëhemi pjesë e kontributit dhe ta shpëtojmë Emron. Ju kujtohet Musa Baculi që në atë kohë kur e shihje dukej i vdekur fare… por sot Musai jeton i lumtur së bashku me shokët e nënë e tij. Pra asgjë nuk është e pamundur, pasi të gjithë nga pak, besoj se do ia arrijmë për të mbledhur këtë shumë.

Në emision u arrit një shifër prej rreth 200 mijë eurosh, ndërsa një shqiptar, komshi më të riun dha një lajm të mirë. Pasi kishte mësuar mbi rastin në Malin e Zi, një biznesmen kishte dhuruar rreth 30 mijë euro për Emron.

Komshiu i Emros: Unë jam komshiu i Emros… i kam vetë dy djem (qan). Fëmijët e mi janë rritur me Emron dhe e kam si djalin tim. Tani më erdhi një lajm dhe një zotëri prej Tivarit ka kontribuar 30 mijë euro për Emron. Shumë lokale punojnë sot në Ulqin për Emron.

Në përfundim të emisionit, xhaxhai i falënderoi të gjithë shqiptarët që kontribuuan për rastin e Emros dhe e mbylli fjalën e tij me shpresën se paratë do të mund të realizohen që jeta e 20 vjeçarit të shpëtohet.

Xhaxhai: Ne familjarisht i falenderojmë të gjithë. Përpos ulqinakëve, do doja të falënderoja shqiptarët dhe mërgimtarët tanë. Jam mëse i bindur se të gjithë ato e kanë një mendje dhe zemër tek Emro, sepse ata e kanë treguar veten se janë bujarë. Jam mëse i bindur se edhe ata do të japin maksimumin e tyre dhe i falënderoj të gjithë. Ju falënderoj të gjithë juve dhe iu shkoftë mbarë gjithmonë.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart