Pompeo e Lavrov zotohen për ndreqje të raporteve ShBA-Rusi


Gazeta Express
14 Maj 2019 16:09

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, i tha ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, se presidenti Donald Trump është i përkushtuar t’i përmirësojë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Pompeo e dha këtë deklaratë në fillim të bisedimeve me Lavrovin në qytetin rus të Soçit, i cili shtrihet në brigjet e Detit të Zi. Pritet që sekretari amerikan të takohet më vonë gjatë ditës edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

Këto janë takimet e nivelit më të lartë mes dy shteteve që nga korriku i vitit 2018, kur Trump dhe Putin ishin takuar në Finlandë.

Në fillim të takimit me Lavrovin, Pompeo tha që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund të mos pajtohet për gjithçka, por se ka hapësirë për bashkëpunim, veçanërisht për luftën kundër terrorizmit dhe kufizimin e zhvillimit të armëve bërthamore.

Në anën tjetër, Lavrov tha se shpreson që palët të arrijnë marrëveshje për propozime specifike që kanë për qëllim nxjerrjen e marrëdhënieve mes Rusisë e ShBA-së nga gjendja e mërzitshme që mbretëron aktualisht.

Ai tha se është koha që të ndërtohet një perceptim i ri, konstruktiv dhe me më shumë përgjegjësi për njëri-tjetrin dhe se Rusia është e gatshme për një gjë të tillë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart