Politikani pakistanez bën transmetim direkt me maskën e maces në Facebook


Gazeta Express
17 Qershor 2019 10:20

Një politikan në veriperëndim të Pakistanit është paraqitur me një figurë mjaft qesharake në rrjetin social “Facebook” pasi në konferencën e organizuar për gazetarë fytyra e tij doli me filterin e veshëve dhe mustaqeve të maces përderisa ishte në transmetim të drejtpërdrejtë.

Transmetimi i drejtpërdrejtë i ministrit rajonal, Shaukat Yousafzai, në konferencën për gazetarë u përhap shumë në internet pasi një anëtar i ekipit të tij për menaxhimin e rrjeteve sociale e aktivizoi aksidentalisht filterin e figurës së maces në fytyrën e politikanit.

Përdoruesit e rrjetit “Facebook” panë se si veshët dhe mustaqet e maces shfaqeshin në fytyrën e këtij ministri dhe të dy zyrtarëve të tjerë që ishin bashkë me të. Disa njerëz bënë komente qesharake. Njëri tha: “Paska hyrë një mace në cabinet”.

Sidoqoftë, kjo video u fshi disa minuta pas përfundimit të konferencës për gazetarë. Pavarësisht fshirjes së videos, fotografitë qesharake ende qarkullonin në rrjetet sociale.

Ministri Yousafzai e konfirmoi incidentin dhe tha se e tëra ka ndodhur aksidentalisht. “Filteri i maces është aktivizuar në mënyrë aksidentale. Të mos i marrim të gjitha gjërat seriozisht”, tha ai.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, partia e tij tha se ky incident ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor dhe se i kanë marrë hapat e nevojshëm për t’i shmangur incidentët e këtilla në të ardhmen, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart