Policia u konfiskon Plisave fishekzjarrë dhe kapsolla


Gazeta Express
17 Nëntor 2019 15:53

Policia e Shqipërisë iu ka konfiskuar Plisave fishekzjarrë dhe kapsolla në pikë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, Morinë.

Njëri prej grupeve më të mëdha të tifozëve në vend, Plisat, kanë udhëtuar sot drejt Tiranës për ta mbështetur ekipin kombëtar të Shqipërisë në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 kundër Francës, raporton Gazeta Express.

Atyre nuk u është lejuar kalimi i kufirit me mjete piroteknike, të cilat janë të ndaluara në stadiumin e ri “Air Albania”, i cili do të përurohet sot me këtë ndeshje.

“Policia Kufitare e Morinës gjatë kontrollit të ushtruar së bashku me autoritetin doganor në autobusin me drejtues shtetasin kosovar B. M, gjeti një çantë shpine me fishekzjarrë dhe kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.

“Në këtë autobus udhëtonin në mënyrë të organizuar shtetas kosovarë për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Francë. Kontrollet e rrepta do vijojnë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, dhe në çdo ambient ku dyshohet se mund të ketë fishekzjarrë dhe kapsolla, si dhe për elementë me precedent kriminal që mund të tentojnë për të hyrë në stadium. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë takimit të bërë paradite me grupin e punës për menaxhimin e masave të marra për mbarëvajtjen e aktivitetit ndërkombëtar, kërkoi nga të gjitha strukturat e Policisë , angazhim, seriozitet, përkushtim për përmbushjen e detyrave”, thuhet në njoftim.

Te fundit


Kthehu lart