Policia nxjerr jashtë banorët e bllokut ku ndodhi vrasja e trefishtë


Gazeta Express
22 Prill 2019 15:54

Policia ka nxjerrë jashtë banesave të tyre banorët e bllokut ku ka ndodhur sot vrasja e trefishtë në lagjen Dardania në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.

Vrasja ka ndodhur saktësisht afër bulevardit “Bill Clinton” në lagjen Dardania në Prishtinë. Sipas raportimeve dhe policisë është thënë se një burrë ka vrarë gruan e tij, gruan e djalit të tij dhe më pas edhe veten.

Tashmë në vendin e ngjarjes janë policia dhe ekipi i forenzikës. Aty u pa edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që kishte shkuar në vendin e ngjarjes.

Gazeta Express po qëndron në vendin ku ka ndodhur krimi dhe deri tani shihet përmes fotografive se policia tashmë ka nisur t’i nxjerrë jashtë banorët e bllokut ku ka ndodhur vrasja.

Gazeta Express mëson se burri që kreu vrasjen ka qenë i sëmurë psikik, ndërsa familjarët e tij ishin rrezikuar edhe më herët.

Ai edhe para një viti kishte tentuar të vriste gruan e tij, e policia ia kishte konfiskuar armët.

Siç mëson Express nga vendi i ngjarjes, ky person kishte blerë sërish armë dhe sot ai u mori jetën dy familjareve dhe vetes.

Bëhet e ditur se në momentin kur ndodhi ngjarja tragjike, në vendin ku ndodhi rasti kishte qenë prezent edhe një fëmijë.

Vrasja ka ndodhur rreth orës 13:20.

Menjëherë pas raportimit për këtë ndodhi, policia dha informacione zyrtare për Gazetën Express duke thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore.

“Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit janë vrarë tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht njësitet policore janë duke punuar në sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Me këtë vrasje po merren edhe Prokuroria.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë se pas marrjes së informatës është duke shkuar në vendin e ngjarjes.

“Po, kemi marrë informacion që dy persona kanë ndërruar jetë. Sipas informacioneve të para dyshohet se një person ka vrarë gruan e djalit të tij dhe më pas ka vrarë edhe veten”, ka bërë të ditur Beka. /GazetaExpress/

Gazeta Express në vazhdim do të sjellë detaje të reja nga vendi i ngjarjes…

Te fundit


Kthehu lart