Policia e Hong Kongut sulmon protestuesit me plumba gome e gaz lotsjellës


Gazeta Express
12 Qershor 2019 14:47

Policia në Hong Kong ka përdorur plumba gome dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë mijëra protestues që po e kundërshtojnë ligjin e ri për ekstradim.

Në anën tjetër, protestuesit i kanë bllokuar disa prej rrugëve kryesore përreth ndërtesave qeveritare dhe i gjuajtën forcat policore me tulla.

Pavarësisht protestave masive dhe të vazhdueshme, qeveria e Hong Kongut po vazhdon ta mbështesë projektligjin për ekstradim në Kinë dhe pritet që ai të miratohet përfundimisht përmes votimit në kuvend më 20 qershor. Sidoqoftë, Këshilli Legjislativ e ka shtyrë leximin e tij të dytë.

Ky këshill njoftoi se takimi i planifikuar i së mërkurës është anuluar dhe mbetet e paqartë se kur do të ndodhë leximi i dytë.

Njëzet e dy njerëz janë lënduar deri tash gjatë përleshjeve mes policisë dhe protestuesve, por asnjëri prej tyre nuk ndodhet në gjendje kritike.

Në pjesën më të madhe të kohës, protestat në Hong Kong kanë qenë paqësore pasi mijëra njerëz dolën në rrugë në përpjekje për ta bllokuar qasjen e zyrtarëve në ndërtesa qeveritare.

Sidoqoftë, protesta doli nga kontrolli të mërkurën, kur policia filloi t’i sulmojë protestuesit me plumba gome dhe gaz lotsjellës, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart