string(51) "poezia-e-javes-victoria-chang-frestivali-i-fenereve"

Arte

Gazeta Express

09/05/2025 14:43

Poezia e javës/ Victoria Chang: Frestivali i fenerëve

Arte

Gazeta Express

09/05/2025 14:43

Victoria Chang, poete, prozatore, redaktore dhe kritike letrare amerikane.

FESTIVALI I FENERËVE

Nga Victoria Chang

Në dhjetor të vitit 1937, ushtria japoneze e pushtoi qytetin kinez Nanking. Brenda javësh, më shumë se 300.000 civilë dhe ushtarë kinezë u dhunuan, torturuan dhe vranë.

Disa hapen si fizarmonika, në nderim të ardhjes së një të sapolinduri,

të tjerët rrinë të varur si hëna,

ata të kuqtët rreshtohen në varg në një pe të metaltë mbi aromat

e topthave të ngjitshëm të orizit që avullojnë në supë,

ata të rrumbullaktët flakërijnë në erë, prizat ndizen

njëra pas tjetrës.

Jo! Gabim e kam, ata të rrumbullaktët fshikullojnë në erë:

janë koka njerëzish të shkulura dhe të prera nga trupat që ishin

duke prerë kërcej të koi sumit, ose

duke nxjerrë daikonë, ose duke zënë peshq në lumë, ose duke bërë gati

bishta derri për qullin e mbrëmjes.

Rrinë varur në radhë për dekorim, balle që përplasen

me njëri-tjetrin,

duke shkëlqyer si një galaksi dritash të festave, në nderim

të ardhjes të të riut,

i cili përherë, përherë kthehet në shënjestrën e ardhshme,

në minutën që i jepet një emër.

Lantern Festival

Some open like accordions, honoring the arrival of a newborn,/ others hang still like moons,/ red ones line up in a row on a metal thread over scents/ of sticky rice balls smoking in soup,/ round ones glow in the wind, sockets firing up/ one after another.

 No! I am wrong, the round ones lash in the wind:/ they are human heads, gutted and plucked from bodies that were/ snipping stalks of choy sum, or/ excavating daikon, or stabbing fish in the river, or trimming/ pork loins for evening porridge./ And they hang in a row for decoration, foreheads bumping/ into each other,/ glowing like a galaxy of holiday lights, honoring/ the arrival of the new,/ that always, always turns into the next target,/ the minute it is named.

Shënim i përkthyesit:

Festa, ose festivali, i fenerëve, është festa që mbyll ciklin e fetimeve të Vitit të Ri kinez. Në periudhën nga Viti i ri deri te Festa e fenerëve, rrugët ngjyrosen me fenerë të kuq, në të cilët shpesh varet një enigmë që njerëzit mundohen ta zgjidhin. Gjatë Festës së fenerëve familjet dalin rrugëve me fenerë në dorë të ndezur dhe ngjyrosur dhe jashtë shtëpive ndizen qirinj, për t’i udhëhequr shpirtat ogurmirë të shtëpive.

Sipas besimit kinez, fenerët janë një mënyrë për të lënë vitin e vjetër të largohet dhe për t’i uruar mirëseardhjen vitit të ri duke shpresuar që të jetë më i mirë.

Poetja ka marrë këto elemente kryesore të festës për të ndërtuar pjesën e parë të poezisë (vv. 1-6), duke na bërë të ndiejmë atë atmosferë hareje, me fenerët, ngjyrat, ushqimet dhe aromat e tyre. Duke injoruar moton mbi të cilën ndërtohet poezia, shkakun e shkrimit dhe ekzistimit të saj, një fakt rrëqethës historik, lexuesi do të joshet dhe do ta bartë veten në atë ambient të mahnitshëm çlirimi, shfryrjeje, shprese.

Pastaj, krejt papritur, me një të rënë njërrokëshe bajonte, mohon gjithçka. Pa kërkuar falje, pa bërë temena, pa dhënë llogari. Ngase e vërteta dhe rasti e kërkojnë kështu. «Jo! Gabim e kam…». Gabim e kishte, pra. Nuk është Festa e fenerëve. Është një masakër dhe një shaka morbide e bërë nga ushtria japoneze: kokat e prera të banorëve civilë kinezë, që kishin duke punuar për të nxjerrë bukën e gojës, janë vënë në vend të fenerëve, në një ditë të rëndomtë të kalendarit të deriatëhershëm.

Ka edhe një marifet poetik që poetja e ka përdorur, për ta bërë edhe më të dukshëm brutalitetin e krimeve japoneze: zëvendësimi i referencës. Kokat e prera të vënë si fenerë nuk janë aty për t’i bërë dritë ardhjes së vitit të ri, janë aty për t’i treguar fëmijës së sapolindur se çfarë e pret posa të marrë emrin e tij, kinez.

Vrasjet në qytetin e Nankinit janë një ndër krimet më barbare të shekullit XX. Rreth kësaj tragjedie janë realizuar një mori filmash, ndërsa një prej librave fundamentalë është ai i historianes amerikane Iris Chang, The Rape of Nanking, botuar më 1997, nga Basic Books.

/Marrë nga Victoria Chang, ‘Circle’, Southern Illinois University Press, 2005

/Gazeta Express