Poezia e javës / Pavese: Gjithmonë veç t’kam pa - Gazeta Express
string(43) "poezia-e-javes-pavese-gjithmone-vec-tkam-pa"

Arte

Valona Hasani

24/06/2022 15:42

Poezia e javës / Pavese: Gjithmonë veç t’kam pa

Arte

Valona Hasani

24/06/2022 15:42

Cesare Pavese (1908 – 1950), prozator, poet, përkthyes, kritik letrar italian, njëri prej intelektualëve më të mëdhenj të shekullit XX.

Gjithmonë veç t’kam pa

Lexo Edhe:

Gjithmonë veç t’kam pa’,
pa të folur kurrë,
në momentet e tua më të bukura.
Por tani e kam shpirtin aq të trazuar,
të thyer nga pamja jote,
dhe nuk mund të gjej më qetësi
nga tronditja e tmerrshme.
Dhe nuk mund të të flas,
dhe as të afrohem,
se do të shembeshin të gjitha ëndrrat e mia…
Oh nëse kështu e tmerrshme është dhimbja
që kam në shpirt këtë natë
dhe nuk do të të njoh kurrë,
çfarë do të bëhej zemra ime e shkretë
nën trysninë e gjakut,
para madhështisë tënde?
Nëse tani do të më dukej sikur po vdes,
çfarë marramendje të çmendur,
çfarë rrahjesh vdekjeprurëse,
çfarë britmash kënaqësie dhe qetësie
do të më jepte jeta jote?
Por unë nuk mund të të flas,
dhe as të afrohem:
në momentet e tua më t’bukura
gjithmonë veç t’kam pa’,
gjithmonë veç t’kam ëndërru’.

Përktheu: Orjela Stafasani

***

Pyetje që vetëm përgjigje nuk duan

Nga: Valona Hasani

Pavese, shkrimtar Italian, besohet se bëri vetëvrasje në një dhomë hoteli, pasi që shkroi poezinë madhështore “Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu”. Një ndër poezitë e tij të çmuara është edhe “Gjithmonë veç t’kam pa”.

Në poezinë “Gjithmonë veç t’kam pa”, përshkruan një gjendje të tmerrshme emocionale. Dhimbje, njëkohësisht të papërballueshme dhe të pamposhtur, një torturë të frikshme. Sikur një vetëmohim. Një ëndërr të bukur, por për të, e thyer copash nga pamundësia e “pronësisë” së saj.

«Dhe nuk mund të të flas, dhe as të afrohem, se do të shembeshin të gjitha ëndrrat e mia…», autori tregon gjendjen në të cilën është katandisur, e kjo vjen si pasojë e pamundësisë të veprojë nga frika. Një nga ato ndjenjat e përziera sa të bukura aq edhe të trishtueshme sikur shpresa, që të mban të gjallë dhe të ha për së gjalli. Ekstreme të kundërta, që nuk e di as nga t’ia mbash dhe anon në një drejtim nga frika dhe jo nga dëshira. Është ai momenti kur ti do diçka, por nga frika edhe refuzon të përballësh për shkak që gjendja jote mund të përkeqësohet.

Frika si e tillë të orienton, sepse është ndjenjë shqetësimi thuajse në shumicën e rasteve të nënshtron dhe fiton, e sidomos kur bëhet fjalë nga pritja e reagimit të tjetrit. Sikur në rasti «Nuk mund të afrohem…», sepse pritet reagim, nëse afrohem do të bëhet më keq?

Shkrimtari japonez Haruki Murakami në librin e tij “Pylli Norvegjez” thotë saktësisht kështu: “Pritja e përgjigjes tënde është një nga gjërat më të dhimbshme që më ka ndodhur ndonjëherë”.

Në serialin Euphoria, në një ndër skenat e filmit thuhet përafërsisht e njëjta, vetëm me një situatë tjetër:

“E di momentin kur je me dikë dhe gjërat nuk shkojnë siç duhet? Por ke frikë të pyesësh, sepse përgjigjja mund te jetë më e keqe sesa ndjesia e momentit”.

Pra në të tria rastet e lartcekura përfshihet depresioni, ankthi. Secila në fshehtësinë dhe veçantinë e vet, por të ndërlidhura pa asnjë fije dyshimi.

Sepse njerëzit janë skllav të mendimeve. Ndonjëherë gjërat nuk janë aq të vështira sa duken, por mendimet se si do të mendojë tjetri përmbysin të gjithën.

Pavese vargun tjetër e poezisë e fillon me “Nëse” diçka që është e dyshimtë, por jo e pamundur, mund të ndodhë, dhe nëse ndodh, çfarë bëhet, përshkruan një shpirt që po e lë ketë botë, e në rrugëtimin e saj së çfarë mund të ndodhë ndërkohë. Është dikush që po i shfaqet, që po e tundon.

«Nëse tani do të më dukej sikur po vdes,/ çfarë marramendje të çmendur,
çfarë rrahjesh vdekjeprurëse,/ çfarë britmash kënaqësie dhe qetësie/ do të më jepte jeta jote?»

Shkrimtari Italian në të gjithë poezinë shprehë frikë, sikur diçka brenda tij do të rrënohet nëse e bën ndonjë hap që ndoshta mund t’i kushtojë edhe me jetë.

Vargjet janë të thurura edhe me pyetje, sikur dëshiron që personi tjetër t’i përgjigjet. Sikur në njëfarë mënyre po të pyes unë, por mos jep përgjigje, sepse është e papërballueshme.

/Gazeta Express