Pablo Neruda u lind më 12 korrik 1904 në Parral (Kil) dhe vdiq më 23 shtator 1973 në Santiago të Kilit. Neftalí Ricardo Reyes Basoalto i njohur si Pablo Neruda ishte poet, diplomat dhe politikan kilean.
Në fillim shkruante kryesisht poezi të dashurisë, e më vonë kaloi në temat shoqëroro-politike dhe në poezinë e angazhuar politike e cila flet kundër marrëzirave në luftëra dhe çdo herë në mbrojtje të të shtypurve. Botoi 19 përmbledhje të poezive, nga e cila më e njohura është “Spanishtja në zemër” në të cilën jep dridhjet, apo fotografinë e vërtetë të luftës për popullin spanjoll. Pablo Neruda konsiderohet një ndër poetët më të mëdhenj të shekullit të XX. Në vitin 1971 Neruda fitoi Çmimin Nobel për Letërsi, një çmim ky i kundërshtuar për shkak të aktivitetit të tij politik. Romancieri kolumbian Gabriel García Márquez e quajti “Poeti më i madh i shek. XX”.
Të due
Të due,
të due në nji mënyrë t’pashpjegueshme,
në nji formë t’parrëfyeshme,
në nji mënyrë kontradiktore.
Të due,
me gjendjet e mia shpirtnore që janë shumë,
e që ndryshojnë humorin vazhdimisht,
për ato që tashma i di,
koha, jeta, vdekja.
Të due…
me botën që nuk e kuptoj,
me njerëzit që nuk kuptojnë,
me dykahshmëninë e shpirtit tim,
me inkoherencën e akteve t’mia,
me fatalitetin e fatit,
me intrigën e dëshirës,
me dykuptueshmërinë e veprimeve.
Edhe kur t’them që nuk të due, të due,
edhe kur t’mashtroj, nuk t’mashtroj,
në thellësi po realizoj nji plan,
për me t’dashtë ma mirë.
Të due…
pa reflektue, pandërgjegjshmërisht,
papërgjegjshmërisht, spontanisht,
jovullnetarisht, nga instikti,
nga impulsi, irracionalisht.
Në fakt nuk kam argumente logjike,
as të improvizuem,
për të themelue kët’ dashni që ndjej për ty,
që leu misteriozisht prej asgjasë
që nuk ka zgjidhë magjikisht asgja,
e që mrekullisht, nga pak, me pak e asgja
ka përmirësue ma t’keqen time.
Të due,
të due me nji kurm që nuk mendon,
me nji zemër që nuk arsyeton,
me nji kokë që nuk organizon.
Të due,
pakuptueshmërisht,
pa pyetë veten se pse të due,
pa më interesue se pse të due,
pa dyshue te vetja se pse të due.
Të due,
thjesht sepse të due,
unë vetë nuk e di pse të due…
Përktheu nga spanjishtja: Manjola BRAHAJ
***
Nga Donjeta Abazi
Pablo Neruda i shkroi dashurisë aq mirë e aq pastër sa që duket sikur poezitë e tij romantike, dashurojnë çdo lexues. Në poezinë “Të due” poeti i është dorëzuar vargut ashtu siç i dorëzohet libri shkrimtarit kur e mbërrin faqen e fundit. Nuk flasim për vargje krejt emocion, flasim për vargje të sinqerta e reale por të renditura mjeshtërisht e plot estetik poetike.
“Të due në një formë t’parrëfyeshme”, sepse diçka e tillë nuk shpjegohet, sepse autori e di që jo veç për atë është njësoj, por sepse kjo është e njohur botërisht.
Pastaj renditja e strofave e përforcon idenë e autorit për një poezi të ndjeshme e plot pasion. Neruda i shkruan dashurisë e të dashurave aq shumë e aq shpesh sa filozofët i shkruajnë mitologjisë greke. Lidhja e tij me pasionanten në poezi janë të pandashme e s’bëjnë dot pa njëra tjetrën.
“Të due…me botën qe nuk e kuptoj, me njerëzit qe nuk kuptojnë”, kështu shkruan poeti, ani pse tema e dashurisë mbetet diçka universale, si tema e krijimit të njeriut, për të universalja shkatërrohet e bie në momentin e ndjenjës se tij sepse se si e përjeton ai gjendjen e tanishme nuk e përjeton tjetri, sepse universalja në këtë rast bëhet e përgjithshmja vetanake. Të tjerët nuk e kuptojnë poetin, jo pse është revoltë e tij me botën e me njerëzit por ata s’do ta kuptonin në këtë gjendje edhe po të donin përnjëmend.
Të due,
pakuptueshmërisht,
pa pyetë veten se pse të due,
pa më interesue se pse të due,
pa dyshue te vetja se pse të due.
Të due,
thjesht sepse të due,
unë vetë nuk e di pse të due…
Vargjet e fundit i thonë të gjitha, arsyen që nuk mund të jetë, dyshimin që nuk mund të jetë e moskokëçarjen që është.
Neruda është plotë jetë në këtë poezi, nuk mbanë asgjë për vete, nuk e kursen lexuesin, poezia është e sinqertë deri në asht. Zakonisht poezitë më të mëdha krijohen nga vuajtja, por poezia e Pablo Nerudes di të jetë madhështore edhe kur poeti nuk i shkruan vuajtjes.
/Gazeta Express