Poezia e javës / Nezir Sefaj: Nënë, rri edhe pak - Gazeta Express
string(44) "poezia-e-javes-nezir-sefaj-nene-rri-edhe-pak"

Arte

Gazeta Express

25/11/2022 17:27

Poezia e javës / Nezir Sefaj: Nënë, rri edhe pak

Arte

Gazeta Express

25/11/2022 17:27

Arti i Sefajt në këtë poezi fshihet në lotët që dëshmojnë nxënien e  mallëngjimit në vargje – një përjetësim i nënës – një përmendore fjale që e ka ngritur si dalje hakut…

Nënë, rri edhe pak

Lexo Edhe:

Nënë, të lutem qëndro edhe pak

Qershitë do të piqen

Dajtë do të vijnë

Që ti ta shohësh gazin e jetës

Nënë te lutem qëndro edhe pak

Oh derisa të mbërrijnë ftonjtë

Dhe pas germës së parë

Të mësuar festën

E nxënies së mallëngjimit me vargje

Përjetësisht për ty do e ruaj

Nënë rri edhe pak

Të më shohësh lotëve si u dal hak

Nënë, rri edhe pak!

              Prishtinë, 24 janar 2009

Lutjet e përditshme ose psalm për nânën

Nga Halil Matoshi

1.

Nezir Sefaj âsht ekonomist i vargut dhe secilin p’ej tyne e bân me durim p’ej filigranisti ose si nji Mjeshtër – prerës diamantash!

Që në titull poezia çelet me mēnyrën urdhërore të foljës ‘rri’ si sinonim i ‘qëndro’ që e përdor në tekst dmth. nji folje e dyfishtë, që e fuqizon lutjën për nânën.

Qenia (entiteti) që rri ngjason në nji Budha, në nji mumje, kurse entiteti që qëndron, ngërthen në vetvete edhe rezistencë, lëvizje aristoteliane në qetim, dhe forcë, tue marrë kuptimin: me qindrue!

2.

Lutjet ose Psalmet për nânën të Sefajt janë vargje të befta në të cilat mungon autori por jo dhe lotët e tij, mungojnë dhe personazhet tjerë, dajtë pritet me ardhë, porse konotimi bie tek sendet, te qershitë, tek ftoni, stinët, lotët, festa e poezisë si përjetësim i imazhit të nânës.

Autori tërhiqet vet dhe i lë hapësinën nji ftoi ose stines së ftojve ose festës së shkronjave që presupozohet e ardhmja, kur autori ka me pagu hakun: Me fjalën poetike.

Autori i dëfton nânës lutjet e tij, me ndejt dhe qindru edhe pak, deri sa të përmbushet jeta, të vijnë dajtë, të marr erë ftoni dhe të nis festa e mallëngjimit, mas germës së parë…sa të ngjizet poezia me nânë!

Nâna, ajo mungon në skenë, për me e kriju atmosferën e mungesës tek shqiptuesi/dëftuesi, që shfaq praninë e mungesës heideggeriane (nâna banon në gjuhë sepse në realitet ajo âsht midis-midisit, e pezullt në nji të tashme të shkueme, dhe autori në gjendje frike (nga ikja e nânës) lutët që ajo mos me dekë po me ndejt edhe pak…, tue ndërlidh dhe përligj  natyrën njerëzore.

Sipas Heidegger, filozofët i atribuonin prezencën qenies pa diskutu se çfarë i jep qenies epërsi?

Pra prania në gjuhë âsht abstiencë e qenies në realitet!?

Por autori përmes gjuhës/shenjës mësynë me ia dhanë njat epërsi, me u dal lotëve hakut e me dëshmu me forcën e poezisë mallin, gjakimin për nânën.

3.

Termat mungesë/prani përshkruajnë gjendjet themelore të qenies.

Përkufizimet e Fjalorit anglisht të Oksfordit për të dy termat janë vetë-referencialë: “fakti ose kushti i të qenit i pranishëm” dhe “gjendja e mungesës ose largimit”.

Autori mësynë me e shpreh lidhjen më të përgjithshme të qenies-nânë me vendin e saj dhe vazhdimësinë në botën e të gjallëve.

Sëkëndejmi, përfaqësimet në formën e imazheve ose shkrimit paraqesin prani përmes ndërmjetësimit – prania e nânës âsht në medium – poezi.

Sipas Derridës, megjithatë, këto forma të ndërmjetësueme janë format e vetme të pranisë, sepse kuptimi nuk mund të shfaqet jashtë një mediumi.

4.

Në tekstin autoreferencial të poetit, nâna âsht entitet neutral, sepse presupozohet se autori lutjën e tij e bân mas humbjës së nanës ose në agoninë e saj. Në analizën e tij për Dürer-in, Heidegger vëren se arti, në konceptin e Dürer, “qëndron i fshehur brenda natyrës; ai që mund ta heqë prej saj, e ka”.

Arti i Sefajt në këtë poezi fshihet në lotët që dëshmojnë nxënien e  mallëngjimit në vargje – nji përjetësim i nânës – nji permëndore fjale që e ka ngritë si dalje hakut për njata lot nâne.

/Gazeta Express