Poezia e javës / Giovanni Raboni: Politika e jashtme - Gazeta Express
string(49) "poezia-e-javes-giovanni-raboni-politika-e-jashtme"

Arte

Gazeta Express

16/09/2022 16:20

Poezia e javës / Giovanni Raboni: Politika e jashtme

Arte

Gazeta Express

16/09/2022 16:20

Giovanni Raboni (1932 –2004), poet, shkrimtar dhe gazetar italian. Ka fituar disa prej çmimeve më të rëndësishme letrare në Itali. Përveç Premio Viareggio, më 2002 iu dha çmimi  Moravia  dhe më 2003 çmimin Librex Montale.

Nga përmbledhjet më të rëndësishme poetike: A tanto caro sangue: Poesie 19531987, Mondadori, Milano, 1988; Versi guerrieri e amorosiEinaudi, 1990; Ogni terzo pensiero, Mondadori, Milano, 1993Premio Viareggio; Quare tristis, Mondadori, Milano, 1998; Tutte le poesie (1951-1998), Garzanti, Milano 2000; Tutte le poesie, a cura di Rodolfo Zucco, Einaudi, 2014. Raboni ka botuar edhe pesë libra eseistikë, ndërsa ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në fushën e përkthimit, duke sjellë në italisht autorë të mëdhenj, si: Flaubert, Baudelaire, Aragonin, Mauriac, Apollinaire, Prevert, Celine, Racine, Claudel, Hugo dhe Proust.

Lexo Edhe:

POLITIKA E JASHTME

Ai që flet ka për të thënë

gjërat që i thotë e ndoshta jo

ose ndoshta të tjera. Por është një fakt se ai që hesht

lë që t’i ndodhë gjithçka dhe ajo që është më e keqja

lë që atë që ia kanë bërë atij t’i bëjnë

dikujt tjetër.

***

Heshtja, apo e keqja më e madhe

Nga: Arben Idrizi

Dreqi e mori, kjo «Politika e jashtme» është ajo për çfarë na shkon mendja posa ta hasim këtë shprehje, apo është diçka më shumë? E kundërta e saj? Një tallje me të?

Natyrisht, mund të mos jetë fare asgjë nga këto. Sidoqoftë, është thjesht një referencë, e qëllimshme dhe e kuptimshme. Ngase, natyrisht politika është ajo shumësi veprimesh që u referohen «jetës publike» dhe «marrëdhënieve publike» (nga greqishtja, «polis», «qytet-shtet». Kur nxjerrim kokën nga «jeta private», nga kasollja jonë dhe dalim në agorë, për cilindo qëllim, domosdoshmërisht, thënë në mënyrë gati vulgare, do (duhet) të përzihemi me të tjerët. Për rrjedhojë, do të krijojmë një «marrëdhënie» përkatësisht një «marrëdhënie publike», ose, që të jemi më afër titullit, do të vëmë në jetë një «politikë të jashtme». Në këtë rast, veprimi ynë i parë dhe i zakonshëm dhe më tej i domosdoshëm është gjuha dhe «Ai që flet ka për të thënë/ gjërat që i thotë e ndoshta jo/ ose ndoshta të tjera». Kjo është përditshmëria jonë. Dhe në përditshmërinë tonë ndodh të ketë edhe situata të pazakonshme (që me përsëritjen e tyre, për të keqen tonë, bëhen të zakonshme). Shumë herë edhe krejt ekstreme. Atëherë, e folura jonë është detyrim, jo thjesht një e drejtë. Me fjalë të tjera, heshtja është gati se inkriminim. Ai që hesht bëhet bashkëfajtor me atë që kryen të keqen.

«Ai që hesht/ lë që t’i ndodhë gjithçka dhe ajo që është më e keqja/ lë që atë që ia kanë bërë atij t’i bëjnë/ dikujt tjetër».

«Politika e jashtme» e jona pra është të flasim për ta mbrojtur veten, për të mos lejuar të na ndodhë gjithçka. Po s’e bëmë këtë, atëherë kjo do të ishte e keqja që do t’i bënim vetvetes. Sigurisht, një e keqe. Por e keqja më e madhe është se duke lejuar të na ndodhë ajo e keqe neve, bëjmë në të njëjtën kohë që t’i ndodhë edhe tjetrit. Kjo bashkëfajësi në të keqen, pa dashjen dhe qëllimin tonë, nuk ka të larë.

/Gazeta Express