Poezia e javës / Charles Simic - Gazeta Express
string(28) "poezia-e-javes-charles-simic"

Poezia e javës / Charles Simic

Arte

Gazeta Express

20/05/2022 17:30

Charles Simic është njëri prej poetëve më të njohur sot. Puna e tij u shpërblye me një varg çmimesh, ai fitoi çmimin Pulitzer në vitin 1990.

Simic kaloi vitet e para si adoleshent në Beograd, për të emigruar pastaj bashkë me nënën e tij në ShBA për t’iu bashkuar të atit. Poezitë e para të Charles Simic u botuan në vitin 1959, kur ishte vetëm 21 vjeç. E mësoi anglishten dhe shkrimin kreativ për rreth 30 vite në Universitetin e New Hampshire. Shkruan në anglisht, duke rrëfyer për eksperiencat e tij dhe të fëmijërisë që kishte kaluar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Jeta e tij prej emigranti e bëri të njihej si poet që shkruan larg vendlindjes.

Lexo Edhe:

Një sqarim i pjesërishëm

Duket të ketë kaluar bukur kohë

Që kur kamerieri e ka marrë porosinë time.

Një restorant i vogël i pistë,

Jashtë po bie borë.

Duket se është errur

Që kur e dëgjova herën e mbrame derën e kuzhinës

Të mbyllet pas shpinës sime

Që kur herën e mbrame e vura re

Ndokënd të kalojë rrugës.

Një gotë uji me akull

Më bën shoqëri

Në këtë tavolinë që e zgjodha vetë

Me të hyrë.

Dhe një dëshirë e zjarrtë,

Një dëshirë e zjarrtë e pashoqe

T’ia vë veshin

Kuvendimit

Të kuzhinierëve

***

E thjeshta estetike

Nga Donjeta Abazi

Përshkrimi fillestar në poezinë e Simic, tregon për një të larguar, një turist ose një jo vendas të cilit fundja nuk i prish punë vendi ku është tash dhe se kafeneja, restoranti ose çkado tjetër do të mbetet vendi i një “të ardhuri”. Vargjet e para janë të thjeshta, titulli i poezisë edhe me i thjeshtë se vet vargjet, por strofa e parë të bën për vete. Në strofën e parë që ka të bëjë me përshkrimin e një vendi e bën poezinë tërheqëse, shtoja faktin se mënyra e përshkrimit mund ta lërë të lirë strofën e parë si poezi në vete.

Kur poeti shkruan dhe se paku një ose dy strofa mund të rikrijohen si poezi në vete, ai ka mbërritur pikën kulminante, ka marrë nga arti i poezisë atë që është idilike. Në poezinë e Simic secila strofë mund të krijohet si poezi në vete gjë që jo me pahir e bën ndër poetet më të mirë.

Vazhdimi i poezisë është i njëjti, lexuesit i fal qetësi dhe e fut pak në botën imagjinare të veten dhe në atë reale të autorit. Përveç kësaj pritet një fund krejt ndryshe dhe për të gjithë mund të jetë përshtypja e njëjtë, fundi të habit. Ani pse në titull thuhet se do të ketë një shpjegim, shpjegim që e marrim në strofat e parë, në të fundit, jo që s’marrim sqarim, por bëhet edhe komike. Një poezi melankolike, që ngjall tek lexuesi një ndjenjë platonike, në fund bëhet komike dhe s’është që jep kushedi çfarë sqarimi. Ani pse fundi është kështu, poezia mbetet plot kënaqësi për t’u rilexuar.

Simic përmes vargjeve të kësaj poezie të thjeshtën e bën estetike, e estetikën e shndërron në të thjeshtë. Autori luan me vargun, ai e di që poezia e tij nuk fsheh sekrete të mëdha por ajo çka ai e di me siguri është se po prek një rutinë të ditës që të gjithë thuajse e përjetojnë dhe kur e lexojnë në poezi u jep një tjetër ndjesi dhe nuk është më aq bajate sa mund të duket në realitet.

/Gazeta Express