Po kthehet Agjitacion – Propaganda!


Gazeta Express
16 Korrik 2019 14:17

Togfjalëshi agjitacion-propagandë në kohët e sotme duket pakuptim. Ai u importua nga fjalori politik ruso- sovjetik dhe u zbatua me zell të veçantë në diktaturën “sui generis” të Enver Hoxhës. Ato kohë, të akuzoje dikë për agjitacion-propagandë praktikisht i kishe bërë gjëmën. Burgu ishte pjesa më pak e tmerrshme e dënimit. Injorimi publik që shoqëronte të akuzuarin për gjithë jetën, mënjanimi nga shoqëria si “i njollosur”, pasojat e familjes së të dënuarit ishin metastazat e nenit të famshëm 55!

Vetëm  artikulimi i këtij neni të rrënqethte trupin.

Tashmë agjitacion propaganda është një relike e vjetër që e njohin vetëm ata që e kanë jetuar atë sistem. Demokracia e dha të drejtën e fjalës me pashë. Tani mund të shash Presidentin, Kryeministrin, Ministrin, Kryetarin e Bashkisë në shkrime, statuse madje edhe në rrugë e nuk të arreston kush.

 Por, nuk është as bash kështu…Sindromi i Nenit 55 vazhdon edhe tani.

Në zgjedhjet e fundit vendore, numri i votave të pavlefshme ishte rreth 50,000. Kjo do të thotë që 50,000 persona shkuan në këto zgjedhje nga frika se mos identifikohen si kundërshtarë të pushtetit. Jo nga neni 55 sigurisht. Por në demokraturë ka mënyra të tjera pak më të sofistikuara. Neni 55 është hequr nga kodi penal por jo nga kodi moral i udhëheqësve tanë. Armiqtë nuk i fusim në burg por i lëmë pa punë, u dëmtojmë bizneset, shtojmë kontrollet, bëjmë ligje diskriminuese etj etj… Kapitalizmi ta jep me një dorë lirinë e ta merr me një tjetër. A ka provë më të fortë frike se numri i votave të pavlefshme?

Vazhdojmë më tej.

Arben Malaj është  një nga emrat më të njohur e të respektuar të botës së ekonomisë në Shqipëri. Ish Ministër i Financave në vitet 97-98, vitet më të vështira për ekonominë e shtetit të drobitur nga skemat piramidale, ish deputet socialist për 12 vjet dhe ish- kandidat për Kryeministër socialist, me një qerre tituj shkencorë e studime për ekonominë. Papritmas, propozohet të shkarkohet nga anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë.

Propozimi vjen nga 28 deputëtë socialistë me motivacionin :

Gjatë vitit 2018 dhe në vazhdim zoti Arben Malaj i emëruar nga Kuvendi si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ka pasur sjellje konstante dhe dalje publike dhe deklarim të qëndrimeve personale dhe të natyrës politike të palidhura me politika mbikëqyrje të Bankës së Shqipërisë dhe që nuk gjejnë asnjë referim në çështjet diskutuara në veprimtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë apo që të mund të klasifikohen si veprimtari në shërbim të edukimit të publikut mbi tregun bankar

Pra, Arben Malaj, sipas deputetëve socialistë, nuk duhet të ketë asnjë deklarim personal të natyrës politike. Deklarimet e tij si intelektual me përgjegjshmëri publike duhen dënuar me shkarkim nga Këshilli!

Në zbatim të nenit 55! Ky është një stad i ri i demokraturës. “Rri aty vlla e fol për ekonominë ose ec për shpi -i thonë deputetët taoballas. Nuk po të duhet ty gjë se si vidhet qytetarët me taksa të ekzagjeruara nga Bashkia, as sesi babëzia e ndërtimeve po pushton çdo cep të gjelbëruar e po na shkatërron mushkëritë çdo ditë. Këto janë tema që dalin mbi kapacitetin intelektual….

Në botën e medias, pra të atyre që me ligj e kanë detyrë informimin publik, po hyn një ligj i ri, ai i gjobës shtetërore. Qeveria me këtë ligj i jep të drejtën një institucioni të saj (Autoritetit të Medias Audiovizive -AMA) që të vërë gjoba ndaj mediave, të urdhërojë heqjen e artikujve të caktuar kur e sheh ajo të arsyeshme, të vjelë gjobat pa një vendim gjykate etj. Gjobat shkojnë deri në 8,000 Euro. Kujdes, AMA urdhëron vjeljen e gjobave pa pritur vendimin e Gjykatës! Partia mbi të gjitha!

Televizionet në Shqipëri e kanë TVSH-në 0 dhe qarkullojnë me miliona Euro nga reklamat. Ato janë në vathën e pushtetit prej kohësh.

Ndërkohë, mediat online me një buxhet vjetor prej dhjetëra mijëra Euro duhet të paguajnë TVSH për reklamat e tyre 20%. Pra, mirë që t’i kufizojnë të ardhurat përmes shtrëngimeve të bizneseve por edhe të marrin 20% për kacidhet që i shpëtojnë ndonjë biznesi…

Andi Bushati në një shkrim të tij përmendte ndikimin qeveritar në mbylljen e emisionit shumë kritik ndaj Qeverisë “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi. Ndër të tjera, ky emision zbuloi edhe skandalin e Unazës së Re. Bushati, gjithashtu, përmendte edhe presionin që bëhej ndaj autorit më të njohur të emisioneve politike në vend, Blendi Fevziu, për të qenë  më i kujdesshëm me temat dhe të ftuarit e emisionit “Opinion”!

Neni 55 nuk ka nevojë të shkruhet si dikur. Versioni modern vjen me terminologji të re si shpifje, taksa, politika editoriale, shkelje etike, AMA, vota të pavlefshme etj etj.

Te fundit


Kthehu lart