Po flitet si i propozuari i BE’së për Emisar në dialogun Kosovë-Serbi, por kush është Miroslav Lajcak - Gazeta Express
string(99) "po-flitet-si-i-propozuari-i-bese-per-emisar-ne-dialogun-kosove-serbi-por-kush-eshte-miroslav-lajcak"

Po flitet si i propozuari i BE’së për Emisar në dialogun Kosovë-Serbi, por kush është Miroslav Lajcak

Gazeta Express

13/02/2020 19:18

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirosval Lajcak, ka pranuar se ka një ofertë për të qenë emisar i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi.

Për mundësinë e emërimit të Lajcak ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që diplomati sllovak të jetë Përfaqësues Special për dialogun Kosovë Serbi.

Lexo Edhe:

Ndërkohë Lajcakun këto ditë në Munih të Gjermanisë do ta takojë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih prej 14 deri më 16 shkurt.

Por kush është Miroslav Lajcak?

Miroslav Lajcak ka detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme në Sllovaki, por më parë ka qenë President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara prej vitit 2017 deri në vitin 2018. Diplomati sllovak ka një karrierë të bujshme politike. Ai kishte filluar të merrej me politikë që nga viti 1983 kur u anëtarësua në Partinë Komuniste të vendit të tij, partia e vetme në atë kohë në Sllovaki. Në vitin 1988 ai iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekosllovakisë. Gjatë viteve 1991-93 shërbeu në ambasadën sllovake në Moskë. Ai ishte ambasadori i Sllovakisë në Japoni prej viteve 1994-98. Mes viteve 1993-94 shërbeu si shef i kabinetit të ish-kryeministrit sllovak, Jozef Moravcik. Mes viteve 2001 dhe 2005, Lajcak qëndroi në Beograd ku shërbeu si ambasador i Sllovakisë për Serbinë dhe Malin e zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ai ishte mbikëqyrës i referendumit për pavarësi të vitit 2006 në Mal të Zi.

Më 30 qershor të vitit 2007, Lajcak u bë Përfaqësues i Lartë për Bosnje e Hercegovine. Ai e mbajti këtë pozitë deri në vitin 2009. Lajcak mori kritika, edhe brenda por edhe jashta Bosnjës, për qëndrimin e tij autoritar. Kritikët thonë se kriza më e madhe politike atje prej luftës së vitit 1992-95 ndodhi për shkak se Lajcak ishte mundur të bënte ndryshime në institucionet shtetërore në Bosnjë. Kështu ai doli prej kornizës së Marrëveshjes së Dejtonit, pa u konsultuar me politikanët.

Në janar të vitit 2009, Lajcak u bë Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, ku qëndroi deri më korrik të 2010-ës. Pastaj u emërua si Drejtor Menaxhues për Rusinë, Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët lindorë të BE’së, si pjesë e veçantë e Shërbimit të Jashtëm të BE’së.

Në vitin 2016 kandidoi për postin e Sekretarit-Gjeneral të Kombeve të Bashkuara, pozitë të cilën nuk e mori.  

Lajcak ka në këtë kohë edhe oferta të tjera përveç asaj të Emisarit për dialogun Kosovë-Serbi. I pyetur nga mediet edhe për mundësinë që ai të emërohet si Përfaqësues Special i Kombeve të Bashkuara për rajonin e Saharasë Perëndimore, Lajcak ka thënë se është duke konsideruar disa oferta të ndryshme, duke potencuar se me shumë gjasë do të mbetet i përkushtuar në Ballkan për gjithë jetën, duke qenë se një nga ofertat është nga rajoni.

BE angazhohet për dialogun Kosovë-Serbi me anë të Përfaqësuesit të BE’së për Politikë të Jashtme, pozitë të cilën tani e mbanë Josep Borrell. /Express/