Po Blerim, (pas njëzet vjetëve) është koha me pȃ vetën në pasqyrë!


Gazeta Express
10 Prill 2019 17:40

…dhe do të shohim ku jemi sot pas 20-vjetësh çlirimi dhe ushtrimi të pushtetit faktik. Secili në këtë ballafaqim ta quaj epik, në retrovizor do ta sheh vetën e tij, çfarë ka bërë mirë dhe keq dhe sa është pesha e mëkatit epistemologjik ndaj këtij atdheu dhe këtyre njerëzve. Shmangia e përgjegjësisë personale është një tendencë për larje duarsh, por nuk e pastron ndërgjegjen. Porse më mirë që po flet Blerim Latifi!

Kjo ndihmon që drama e këtij vendi të marrë një zgjidhje çehoviane e jo Shakespeareiane dhe në përjetimin e një Katarsis-i të kësaj shoqërie, të vet sistemit politik dhe elitave.

Shkruan: Halil Matoshi

Nga reflektimi i Blerim Latifit, dy janë momentet që më japin shpresë, sëpari që filozofi prishtinas, i angazhuar gjatë edhe vetë në trajtimin e temave politike dhe në shërbim të politikave, po e emëron realitetin në burimin e vet etimologjik, megjithëse prapavajtës zhurmës mediatike dhe opozitare dhe jo me konsistencë në shtrirje kohore.

Dhe së dyti, që po gjën mesazhe humane në poezi, për ta edukuar politikën. Kthimi tek arti është kthim në burimin e të mires dhe delegjitimimi i të keqes.

Por, Blerim Latifi, si filozof dhe këshilltar i dy krerëve aktualë të shtetit, Hashim Thaçit sa ishte Kryeministër dhe Kadri Veselit si kryetar Parlamenti, sëpari do të duhej t’i emëronte të këqijat tashmë të bëra me vjet dhe në fund të diskutonte me adresën ku pounoj unë dhe me mua. Po ashtu, do të duhej të thirrej në të dhënat zyrtare dhe jo në realitetin e defiguruar – si sumulakrum – që operon me të dhëna të fabrikuara dhe me gjysmë të vërteta, ku pavetëdijshëm e ku për përshtatje agjendave dhe agjentëve partiakë, mediatik dhe të qendrave të ndryshme të influencës.

Blerim Latifi e paska hetuar se “jam gozhduar” në rrjetet sociale, nga shkrues egërshanë e të pacipë komentesh, në të cilat me lehtësi të padurueshme thirren në vrasje dhe plumba (pa i përfshi ata komentues normalë e qytetarë të brengosur) dhe këtë lloj “pushkatimi” e ka përjetuar edhe ai vet sëfundi, sidomos me përimtimet në anën e drejtë të historisë,  rreth aspekteve të islamit politik dhe humanistëve të kuazimodës së fundit sa për bujë mediatike dhe kursin që duhet ndjekur shoqëria kosovare.

Filozofi Latifi së këndejmi mund të ketë krijuar një percepcion për turmat dhe mendësinë kolektiviste.

Po ia kujtoj, Blerimit një ese briljant për legjionet e idiotëve të rrjeteve sociale të  Umberto Eco, për të drejtën e tyre të njëjtë për të folur si fituesi i çmimit ‘Nobel’, që e konsideron si pushtim i  idiotëve.

https://www.google.com/amp/s/comipi.wordpress.com/2015/06/18/the-invasion-of-the-idiots-and-modern-churnalism/amp/

Portalet dhe betejat e përditshme për klikime që janë mbijetesa e një krijese që shoqëritë në tranzicion ende nuk e njohin, janë lejenjoftimi i një profesioni që po vdes (për t’u rimendu ndoshta?) që lajmet e rreme i ka shndërru në postulat të një epoke të pafytyrë, në aspektin etik dhe estetik!

Po ashtu Blerimi, i ka vërejtur (sëpaku nuk i mohon) tendencat e ndërhyrjes së Serbisë në opinionbërje dhe jo vetëm, e unë do t’ia shtoja kësaj edhe përdorimin e dendur të “Doktrinës Gerasimov”, në luftën për kontrollin e informacionit dhe konflikteve hibride, gjë që e pranoj, kur po lexoj relata zyrtare si ai i State Departamentit të ShBA-së për bazën “humanitare” ruse në Nish si dhe analiza, “po bie” në teori konspiracioni!?( https://www.voanews.com/a/united-states-sees-russia-humanitarian-center-serbia-spy-outpost/3902402.html)

Dhe po ashtu, e pranoj, nuk janë rusët dhe serbët ata që po e ndihmojnë nepotizmin, korrupsionin dhe padrejtësitë shoqërore në Kosovë.

Është sistemi 20-vjeçar, i etabluar dhe vështirë i demontueshëm. Por që është i korrigjueshëm, po.

Blerimi ka qenë vet viktimë e disa folësve përçart, që nuk çajnë kryet nëse bien me një gojë me armiqtë e Kosovës. Një i tillë, Ivica Dačić, ministër i jashtëm serb, sekrecion i frymës – pështymës së kriminelit të luftës Milošević, në përpjekje për ta legjitimuar ikjen e rinisë nga Kosova, paskësh thënë se “ata (BE) ua japin vizat (shqiptarëve) ne ua japim autobusat”!?

Nuk jam që kam rënë aq thellë në gropën humnerore të konspiracionit, kur e ke para syshë këtë cinizëm të kadetit milośevič-ian…

Por duke pasur parasyshë zotësinë e tij për vlerësim, kësaj herë nuk i ka zbatuar kriteret që përdoren në kritikë dijeve shoqërore, sepse si kur po del se pikë reference për t’u përballë me pasqyrën  i merr vetëm 18 muaj qeverisjeje të Ramush Haradinajt, pa u lëshuar në historinë 20-vjeçare, kur pasqyrën e kanë thyër fare!?.

Qeveria Haradinaj është e gatshme të ballafaqohet edhe me diferencën edhe më kritikën.

Kosova është më afër shpresës për një kombi të ri të sukseshëm se sa “kombit të dështuar.”

Po a ka nepotizëm e korrupsion? Po.

E mira qëndron në faktin se Haradinaj vetë e pranon dhe e mban si llogaridhënës pushtetin dhe thërret në etikë pushteti dhe për edukim shoqëror dhe në zhvillim të medies së lirë.

I dashur Blerim, jetojmë në një botë në lëvizje, që i thonë globalizim dhe kosovarët duhet ta kenë të drejtën e konkurrencës në tregjet globale të punës, kudo, flas në tregjet e lira kapitaliste. Në nivelin global, 4% e popullsisë së botës është vazhdimisht në lëvizje; Kosova nga shtetet Europiane konsiderohet vend i sigurtë, nuk ekzistojnë më arsye për azil dhe tash, në prag të jetësimit të procesit të liberalizimit të vizave dikush u kujtua për migrim masiv, i cili, praktikisht ka ndodhur në mënyrë latente përgjatë tërë gjysmës së dytë të shekullit 20 dhe dy dekadave të para të shekullit 21 e veçmas më 2014-2015, kur kanë migruar 67.545 qytetarë e më 2018 kishte vetëm 3515 kërkesa për migrim. Personalisht përpjekjet e mia shkojnë përtej mundësive, me orar pune dhe angazhim, sepse në politikë kam hy për me i shërby Atdheut dhe i tillë vazhdoj të mbetëm, modest në të gjithë parametrat, pa krekosje dhe pa asnjë favor. Më dhemb, në shpirtë fakti që nuk arritëm ta ndërtojmë një shtet, ku të gjithë e realizojnë të drejtën për lumturi dhe që të rejat dhe të rinjtë e vendit tonë detyrohen të kërkojnë një punë në migracion.

Por ka një storie suksesi në këto pamje të rënda.

Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë rrugë legale të realizimit të së drejtes së tyre, si në çdo shtet normal, e veçmas të drejtes natyrale të bashkimit familjkar, që nuk u përket shteteve.

Derisa të hiçet fare ky “normalitet’ vizash, e ajo ditë nuk është e largët.

Më trishton pamja e rreshtave para ambasadave të vendeve të BE-së, por Kosova njëherësh lufton për konsolidim të brendshëm e të jashtëm, në përballje me varfërinë e trashëguar dhe pasojat e luftës por edhe për ruajtje të sovranitetit shtetëror dhe vetrespektit në përballje me agresionin diplomatik, politik dhe diversiv (përmes instrumentalizimit të serbëve në Kosovë) të shtetit serb.

Mirëpo të thërrasim në ndihmë ration e të reflektojmë, vërtetë kush e vrau shpresën në këtë vend dhe a mund të rikthehet ajo?

Zoti Latifi e di  se për dallim nga koha e “vrasësve të shpresës”, sot në Kosovën e fuqizuar në aspektin e sundimit të ligjit, dhe investimit të Haradinajt në forcimin e aspekteve të sigurisë, nuk ka ikje ilegale (duhet të kujtohet modeli Tisa!?) dhe tendenca të azilkërkimit. Sot, ka lëvizje normale drejt tregjeve liberale të punës përmes rrugëve legale, sepse të presësh radhën për të marrë një vizë zyrtare, të punës për 2 – 6 muaj, Schengen, turistike apo për bashkim familjar nuk është IKJE, por LËVIZJE E NATYRSHME në suaza të këtij 4%-shit global.

Në këtë sens, janë rreth 80 mijë qytetarë që presin me interval për t’u paisur me një vizë, por këtë mund ta realizojnë rreth 20 % e tyre.

Madje shumë nga të rejat dhe të rinjtë që sot shkojnë me një vizë punë në Perëndim, nesër mund ta forcojnë ekonominë e vendit të origjinës.

Sipas shifrave zyrtare të BE-së, përmes EUROSTAT-it, në vitin 2015 ishte shënuar rritja më e madhe e azilkërkuesve nga Kosova, 72,480, kurse sot janë vetëm 4,970 azilkërkues për në vendet e BE-së.

Spektakularizimi i kësaj lëvizjeje që padrejtësish po cilësohet masive, i ka dy tendebca, ulja e pragut të suksesit qeverisës dhe ulja e rejtingut publik të Kryeministrit, duke emnduar në zgjedhjet e ardhshme!?

Blerimi le të vazhdojë të flasë dhe shkruaj, që koalicioni i sotëm të “dridhet” nga kritika racionale dhe kushdo që vjen nesër, të shkoj përtej tij në emancipimin e pushtetit politik dhe në bërjen e diferencës në qeverisje.

Por Blerim, Ramush Haradinaj ka qeverisur gjatë kësaj periudhe kohore nën presionin ndërkombëtar dhe vendor, duke ia rikthyër dinjitetin shtetit dhe kombit, me ushtr, tarifa, reformë shtetërore. Atij iu desht sëpari ta delegjitimojë idenë e Federica Mogherini-t dhe disa zyreve të BE-së dhe së dyti, disa qarqeve të etabluara në sistem brenda Kosove, që nën moton ‘dialog për normalizim marrëdhëniesh’ të negociohej sovraniteti shtetëror i Kosovës dhe kufijtë e 17 shkurtit 2008.

Dhe nën peshën e mallkimit të rremë se “Ramushi po na prishë me Amerikën”!?

Presioni ‘i pezullimit të tarifave’ është grotesk, sepse vjen edhe nga ata që kërkon rritje të përqindjës së tyre!?

Porse Kryeministri Haradinaj po fiton terren, në mbrojtjën e të drejtës së Kosovës, nga këtu e deri në Washington D.C.

Barrë e rëndë Blerim, për një njeri.

Blerim Latifi, sidoqoftë e ka një mbështetës më shumë për mesazhin që të shihemi në pasqyrë, sepse kjo presupozon se ai dhe ata, me të cilët ka punuar, janë pȃ në pasqyrë dhe se po evoluojnë!? Vet të folurit, debati për krizën e shoqërisë dhe shtetit presupozon zhvillim, jo ndejtje.

Blerim, jemi të dënuar ta bëjmë këtë vend, sot!

Te fundit


Kthehu lart