Plepolli komenton gjasat e Kosovës në EURO 2020: Tash s’na mjafton loja e mirë, duam kualifikim


load
Gazeta Express
8 Nëntor 2019 20:25

Trajneri Arsim Plepolli beson se Kombëtarja e Kosovës ka gjasa reale të kualifikohet në EURO 2020 – përmes Grupit A ose play-offs të Ligës së Kombeve – dhe thekson se tani Kosova ky synim më të madh sesa vetëm të luajë mirë në këto ndeshje.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje vendimtare për fatin e saj në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020 gjatë dy javëve të ardhshme – kur më 14 nëntor do ta vizitojë Çekinë e tre ditë më vonë do ta presë Anglinë në “Fadil Vokrri”, shkruan Gazeta Express.

Për momentin, Kosova radhitet në pozitën e tretë në Grupin A me 11 pikë të fituara nga gjashtë ndeshjet e para – një më pak sesa Çekia dhe katër më pak sesa Anglia.

“Tash duhet të bëhemi realistë, nuk duhet të lavdërohemi vetëm me një fitore, të themi se ishte një lojë shumë e mirë, tani e kemi vetëm kualifikimin. Çdo seleksion nëse nuk e ka kualifikimin, tani nuk mund ta quajmë sukses”, ka thënë Plepolli në emisionin sportiv në T7, “Favorit”.

“Ne po e fitojmë një ndeshje për shembull një lojë e luajmë mirë kundër Turqisë apo Gjermanisë, ne po krenohemi me një lojë… nëse mendojmë kështu, e kemi gabim. Tash jemi Kombëtare e re, por kemi potencial shumë të mirë. Atëherë, pse të mos e ndjekim kualifikimin?”

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke. 

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart