Plasi grushti mes dy zyrtarëve të PS, u goditën para deputetëve. Shkaku i sherrit


Gazeta Express
10 Tetor 2019 14:47

Propozoi shkarkimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak, dhunohet fizikisht kreu i degës së PS-së në Durrës.

Rathaus_von_Durres

Luan Zaza, i cili prej gati 4 vitesh mban postin e kryetarit të Partisë Socialiste për Durrësin, është goditur me grushte nga Sekretari i Këshillit Bashkiak, Armand Tragaj. Shkak për konfliktin mes tyre është bërë propozimi i paraqitur nga Zaza në mbledhjen e fundit të Këshillit të Bashkisë Durrës.

Dy javë më parë, ndërsa Këshilli ishte mbledhur për të diskutuar mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti, kreu i degës së PS-së ka kërkuar shkarkimin e Tragajt. Kërkesa nuk ka kaluar në votim, për shkak të mungesës së disa anëtarëve të Këshillit, duke bërë që të mos plotësohej kuorumi i nevojshëm prej 26 anëtarësh. Vendimi është shtyrë për mbledhjen e ardhshme, e cila pritet të mbahet këtë fundjavë. Armand Tragaj, i angazhuar me Lëvizjen Socialiste për Integrim kohë më parë, mban këtë post që prej vitit 2016, duke u emëruar nga marrëveshja PS-LSI.

zaza, tragaj

Mbledhja e këshillit është shoqëruar me debat dhe tension, pasi Tragaj ka lëshuar akuza ndaj kreut të PS-së në Durrës. Por, situata është tensionuar më tej kur Tragaj dhe Zaza janë përballur në lokalin “Center”, pranë Bashkisë Durrës. Ndërsa Zaza ndodhej i shoqëruar me dy deputetë të Partisë Socialiste për Qarkun e Durrësit, Ilir Ndraxhi dhe Roland Xhelili, Tragaj ka nisur të debatojë me të lidhur me kërkesën për shkarkim dhe në një moment e ka goditur me grushte.

Është dashur ndërhyrja e dy deputetëve të PSsë që situata të mos përshkallëzohej më tej. Sherri konfirmohet nga dëshmitarët okularë, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e kur Tragaj sulmoi Zazajn.

I kontaktuar nga “Panorama”, vetë 32-vjeçari Tragaj shprehet se ka qenë në dijeni për ngulmimin e kreut të degës së PS-së për ta larguar nga pozicioni që mban në Këshillin e Bashkisë Durrës.

“E di që Luani po ngulmon për të më hequr. Jam gati për të ikur dhe jam përgatitur dhe moralisht”, shprehet ai.

Ndërkohë, vetë kreu i degës së PS-së nuk ka bërë ende asnjë reagim lidhur me incidentin, gjithashtu nuk ka bërë as denoncim në Polici. E gjithë kjo situatë vjen në një kohë kur kanë mbetur dhe katër muaj nga zgjedhjet për kryetarin e ri të PS-së për degën e Durrësit.

DJALIN NË PORT DHE BASHKI

Luan Zaza, para se të zgjidhej kryetar i PS-së, ka mbajtur postin e drejtorit të Pastrim Gjelbërimit në Bashkinë Durrës. Ndërkohë, në një raport të paraqitur për Asamblenë Kombëtare të PS, 55-vjeçari rezulton mes kryetarëve të degëve që nuk ka rritur numrin e anëtarësimeve të reja, pasi rritja nuk i kalon as 1%.

Ndërkohë djali i tij, Jurgen Zaza, 25 vjeç, është anëtar i Këshillit të Bashkisë Durrës. Emri i tij u rendit te 11-të të parët e listës, për shkak të meritës së vetme, sepse është djali i kryetarit. Gjithashtu, i riu rezulton punonjës pranë Portit të Durrësit.

PANORAMA

Te fundit


Kthehu lart