Plani i lojtarit të Unitedit për ta mbajtur Pogban: Do t’ia vjedh telefonin që të mos flasë me askënd


Gazeta Express
19 Korrik 2019 9:27

Mesfushori i Manchester Unitedit, Andreas Pererira, ka thënë se ai është i gatshëm ta ndihmojë klubin anglez në tentimet për ta mbajtur Paul Pogban në klub, duke ia vjedhur telefonin lojtarit të kërkuar nga Real Madridi e Juventusi.

Spekulimet rreth së ardhmes të fituesit së Kupës së Botës me Francën nuk kanë të ndalur, që kur vetë ai bëri të ditur se është në kërkim të një sfide të re në karrierë diku tjetër, transmeton Gazeta Express.

Pas tre vjetëve në “Old Trafford”, Pogba besohet se dëshiron ta sfidojë veten në La Liga me Real Madridi ose të kthehet në Serie A me Juventusin. Mirëpo, këtë dëshirë s’po e ka të lehtë ta realizojë pasi që Manchester Unitedi nuk dëshiron ta shesë.

Përveç trajnerit Ole Gunnar Solskjaer, edhe Pereira po shpreson se mesfushori 26-vjeçar do ta vazhdojë karrierën e tij në “Teatrin e Ëndrrave”. Ai është i gatshëm që të kontribuojë edhe vetë në tentimet e klubit anglez për ta mbajtur në skuadër Pogban.

“Është e mrekullueshme të stërvitesh dhe të luash me të. Brenda grupit, ai është një person i mrekullueshëm”, u shpreh braziliani para ndeshjes së Manchester Unitedit kundër Interit, e cila do të zhvillohet të shtunën në kuadër të International Champions Cup.

“Do të jetë shumë e rëndësishme që ai të qëndrojë në skuadrën tonë. Ai është një futbollist shumë i mirë dhe një person i mrekullueshëm gjithashtu”.

“Unë mësoj nga ai çdo ditë. Ai është njëri ndër shokët e mi më të mirë. Kam qenë me të që kur ish 16-vjeçar, kështu që ai është si pjesë e familjes për mua. Ndoshta duhet t’ia vjedh telefonin në mënyrë që ai të mos flasë me askënd”.

Pereira tashmë ia ka besuar të ardhmen e tij Manchester Unitedit, pasi që nënshkroi kontratë katërvjeçare me klubin së fundi. Ai dëshiron ta shfaqë talentin e tij në “Old Trafford” tani dhe këtë synon ta bëjë përkrah Paul Pogbas. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart