Plagjiatura e Taulant Ballës – Universiteti i kërkon Ministrisë së Arsimit të Rumanisë të vendosë


load
Gazeta Express
19 Prill 2019 12:32

Çështja e plagjiaturës së deputetit Taulant Balla ka kaluar për shqyrtim nga universiteti në Ministrinë e Arsimit të Rumanisë.

Komisioni i Etikës në Universitetin Alexandru Ioan Cuza në qytetin Iashi në Romani ia ka kaluar shqyrtimin e çështjes së plagjiaturës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla Këshillit Kombëtar për Dhënien e Titujve, Diplomave dhe Certifikatave Universitare (CNATDCU) pranë Ministrisë së Arsimit të Rumanisë.

Në tezën e doktoratuës së tij, shkruar nën supervizizimin e Profesor George Poede, Balla ka kopjuar pjesë të tëra nga studimi ‘Politikëbërja në BE: Arritjet, Sfidat dhe Propozimet për Reformë’, kryer nga Andrea Renda për Qendrën për Studime Politike Evropiane në Bruksel. Kopjet nga ky studim Balla i ka futur te punimi i tij i doktoraturës të vitit 2015 ‘Reforma e Sistemit të Vendimmarrjes në Bashkimin Evropian’.

Balla mori vlerësimin më të lartë summa cum laude për punimin e tij shkencor.

Exit.al paraqiti pranë Universitetit Alexandru Ioan Cuza një ankesë ndaj plagjiaturës së Taulant Ballës. Ankesa u shqyrtua nga Komisioni i Etikës së këtij universiteti, i cili, ndër të tjera, u shpreh se:

“Këshilli i Etikës vendosi që ankesa me shkrim përmban si të dhënat e identifikimit të personit që e ka paraqitur ankesën, ashtu edhe të dhënat e identifikimit të personave ndaj të cilëve është paraqitur kjo ankesë, si dhe përshkruan se veprimi, sipas paditësit, shkel normat e etikës akademike ose të sjelljes së rregullt në fushën e kërkimin shkencor. Prandaj, nënvizojmë zyrtarisht se ankesa përmban të gjitha elementet e nevojshme për t’iu paraqitur Komitetit të Etikës.”

Këshilli i Etikës ia ka dërguar ankesën CNATDCU-së, që sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit të Rumanisë është institucioni përgjegjës për të trajtuar çështje “shkeljes së standardeve të etikës profesionale, përfshi kopjimin në një tezë doktorature.”

Legjislacioni rumun i jep CNATDCU-së 45 ditë për të vendosur mbi këtë rast. Nëse rezulton të ketë kopjuar, Taulant Ballës do t’i hiqet titulli “Doktor i Filozofisë”./EXIT.AL

Te fundit


Kthehu lart