Pjesëtari i kthyer i ISIS-it i fajëson dy komandantët shqiptarë që s'e lanë të kthehet nga Siria - Gazeta Express
string(93) "pjesetari-i-kthyer-i-isis-i-fajeson-dy-komandantet-shqiptare-qe-se-lane-te-kthehet-nga-siriaa"

Pjesëtari i kthyer i ISIS-it i fajëson dy komandantët shqiptarë që s’e lanë të kthehet nga Siria

Gentiana Hasani

04/02/2020 15:33

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një kosovari i cili derisa ishte në moshën 21-vjeçare i ishte bashkuar organizatës terroriste. Në hetuesi, tash 27-vjeçari ka thënë se ishte kërcënuar nga Ridvan Haqifi dhe Fitim Lladrovci. I kishin thënë se nëse kthehet në Kosovë do të shpallej tradhtar. Por, ani se ky i ri po gjykohet në Kosovë, janë edhe rreth 100 shtetas të Republikës së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në zonat e luftës në Siri e Irak. Derisa shteti i Kosovës siç duket ende nuk ka plan për kthimin e tyre në Kosovë. Nga 97 shtetas të Kosovës sa llogaritet që janë në zonat e konfliktit në Siri, rreth 44 prej tyre janë fëmijë

Gentiana HASANI

Lexo Edhe:

Në korrikun e vitit 2014, me paramendim dhe dashje A.K, tash 27 vjeç, mori rrugën drejt Turqisë. Por misioni i tij ishte që të arrinte tjetërkund. Në zonat e konfliktit në Siri duke iu bashkuar kështu organizatës terroriste ISIS.

Gazeta Express ka siguruar aktakuzën që prokuroria Speciale e Kosovës ia ka ngritur këtij personi në dhjetorin e vitit të kaluar.

Në vitin 2014 ky i ri kosovar përmes një fshati të Turqisë kishte kaluar këmbë kufirin për të dalë në Siri. Aty ky i ri kishte nisur trajnimet taktike, për t’iu bashkuar më pas një lufte të përgjakur atje.

A.K sipas aktakuzës gjatë vitit 2016  gjatë një sulmi nga aeroplani ushtarak ‘AL-DAMAY’ ishte plagosur rëndë në kokë. Pas 4 muajve rikuperim sërish i ishte bashkuar policisë ushtarake të ISIS-it.

Por, nuk kishte shkuar gjatë dhe në dhjetorin e vitit 2017 ky kosovar ishte arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane. Aty kishte qëndruar në burg deri në prillin e vitit 2019, kur edhe ishte riatdhesuar për në Kosovë.

Në deklaratat që ky i ri kosovar i ka dhënë para organeve të hetuesisë ka pranuar se ka qenë pjesë e veprimeve inkriminuese pjesë e ISIS-it.

Ai para organeve të hetuesisë kosovare ka pranuar se ka kontaktuar në Facebook me Ridvan Aqifin me të cilin kishte biseduar për mundësinë e shkuarjes së tij në Siri. Nga Aqifi ky i ri kishte marrë instruksione se si të arrinte deri në zonat e luftës në atë shtet.

Mst: Fitim Lladrovci e Ridvan Haqifi me kërcënuan kur vendosa të kthehem nga Siria

Në aktakuzën që Express e ka siguruar i riatdhesuari nga Siria, A.K, rrëfen se gjatë vitit 2016 ai kishte kërkuar që të kthehej në Kosovë nga zonat e luftës. Por kishin qenë pikërisht kosovarët që gjendeshin atje si Fitim Lladrovci (i kthyer nga Siria) e Ridvan Aqifi (i vrarë), ata të cilët i kishin thënë se nëse largohet nga Siria do të shpallet tradhtar.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto fakte Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë me dyshimet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe Pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par. 2 të KPRK-së”.

Ky ri tashmë është duke u gjykuar pranë organeve gjyqësore kosovare

Mst: 97 kosovarë vazhdojnë të mbesin në Siri

Derisa shumë kosovarë nuk e kishin as edhe një ide se çfarë është ISIS-i, të tjerë tashmë kishin filluar të luftonin nën flamurin e kësaj organizate terroriste. Madje, me kalimin e viteve, rruga e shtetasve të Kosovës drejt zonave të konfliktit u shpeshtua.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, brenda pesë viteve, zonave të luftës në Siri e Irak iu ishin bashkuar mbi 350 kosovarë.

Numri i tyre filloi të rritej edhe më shumë me lindjen e grave atje.

Sipas të dhënave zyrtare, në zonat e luftës u kryen 80 lindje nga gratë kosovare.

“…të lindur në zonën e konfliktit janë 80 fëmijë në SIRI-IRAK”, thuhet në përgjigjet e Policisë drejtuar Gazetës Express.

Por, rrugëtimi i disa prej kosovarëve atje nuk zgjati edhe shumë. Një numër jo i vogël i tyre u vranë disa ditë pasi arritën në këto zona, derisa të tjerë ia dolën të ngjiteshin në hierarkinë e kësaj organizate.

Vetëm pak kohë pas shkuarjes në Siri, Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi, arritën të bëheshin komandantë të ISIS’it, dhe ndërruan jetë si të tillë.

E pas disa vitesh qëndrimi në këto zona, ata që dikur udhëtuan me dëshirë për të luftuar për këtë organizatë, filluan të pendoheshin dhe kërkonin që të ktheheshin në vendin ku kishin lindur.

Kërkesa e tyre u përfill nga institucionet kosovare, dhe në prill të vitit të kaluar u mundësua kthimi i 110 prej tyre.

Ndryshe, Kosova u bë një nga vendet e para në botë që i ktheu shtetasit e saj nga zonat e konfliktit në Siri. Mesnatën e 19 prillit, 110 kosovarë duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë u kthyen në Kosovë. /GazetaExpress/