Piratët nigerianë zënë robër dhjetë detarë turq


Gazeta Express
16 Korrik 2019 15:02

Një kompani transportuese turke ka njoftuar se dhjetë anëtarë të ekuipazhit të anijes së saj janë zënë robër në ujërat e Nigerisë në orët e para të së martës, ndërsa tetë detarë të tjerë kanë mbetur në anije.

Kompania “Kadioglu Denizcilik” tha se anija “Paksoi 1” me flamur turk është sulmuar në Gjirin e Guinesë në kohën kur po lundronte nga Kameruni drejt Bregut të Fildishtë. Anija nuk ishte e ngarkuar me mall.

“Sipas informatave fillestare, askush nuk është lënduar dhe nuk ka persona të vrarë. Përpjekjet për t’i liruar anëtarët tanë të ekuipazhit janë duke vazhduar”, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie.

Duke folur para gazetarëve të martën, një zëdhënës i partisë që është në pushtet në Turqi tha se qeveria është duke e përcjellë së afërmi këtë çështje dhe bëri thirrje që marinarët të lirohen.

Kidnapimet dhe piratëria për haraç në Nigeri dhe në Gjirin e Guinesë janë mjaft të shpeshta.

Javën e kaluar, Byroja Detare Ndërkombëtare tha se Gjiri i Guinesë është zona më e rrezikshme detare në botë për piratëri. Sipas këtij institucioni, 73 për qind e kidnapimeve dhe 92 për qind e marrjes së personave peng ndodhin pikërisht në këto ujëra, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart