Pioli e nis me barazim te Milani që pranon gol në minutën e 92-të


load
Gazeta Express
20 Tetor 2019 22:45

Stefano Pioli e ka nisur me barazim aventurën në stolin e Milanit.

Kuqezinjtë nuk kanë arritur t’i marrin pikët e plota në “San Siro”, duke barazuar 2-2 Leccen, që pranuan gol në minutën e 92-të, për t’i lëshuar dy pikë nga duart.

Hakan Calhanoglu zhbllokoi rezultatin, duke shënuar për 1-0 në minutën e 20-të.

Në pjesën e dytë, ishte Khouma Babacar ai që shënoi golin e barazimit në minutën e 62-të pas një penalltie të fituar me ndihmën e VAR.

Babacar dështoi në tentimin e parë nga penalltia, e priti Gigi Donarumma, por më pas përfitoi nga topi i kthyer dhe nuk gaboi herën e dytë, duke shënuar për 1-1.

Të besuarit e Stefano Pioli rikthyen epërsinë duke shënuar për 2-1 në minutën e 81-të.

Ishte sulmuesi Krzysztof Piatek ai që shënoi disa minuta pasi hyri në lojë (në minutën e 67-të në vend të Rafael Leao).

Për golin e Piatek asistoi Hakan Calhanoglu pas një lëvizje magjike në zonën e kundërshtarit.

Por, Milani nuk arriti të ruajë rezultatin dhe në minutën e 92-të, Marco Calderoni shënoi një gol të bukur nga distanca për rezultatin përfundimtar të takimit, 2-2.

Aktualisht, Milani gjendet në pozitën e 12-të me 10 pikë të grumbulluara pas tetë xhirove. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart