Pezullimi i Rektorit, Hafizi: Pjesë e planit okult të Rilindjes për të përçarë Universitetin


Gazeta Express
15 Prill 2019 16:58

Ish-deputetja e PS-së, Mimoza Hafizi ka reaguar në lidhje me pezullimin nga detyra të Rektorit të UT-së, Mynyr Koni.

Hafizi, tashmë edhe pedagoge e këtij universiteti, është shprehur se nuk po gjen askund një listë me shkeljet në detyrë që pretendohet se Rektori i këtij universiteti ka kryer.

Ajo thotë se ky është një plan okult i Rilindjes për të përçarë e goditur Universitetin e Tiranës.

Reagimi i plotë i Hafizit:

Kryeministri kërcënon prej muajsh rektorin e Universitetit të Tiranës, kurse sot ministrja e arsimit e paska pezulluar. Jam njëra nga pedagoget e këtij universiteti. Kam një histori të gjatë betejash për të mbrojtur vlerat e tij, si brenda mjedisit akademik e shkencor, ashtu edhe në politikë e në parlament.

Po kërkoj në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit për të gjetur një dokument të plotë e të qartë me arsyet dhe argumentet e këtij vendimi.

Për çfarë shkeljesh bëhet fjalë? Nuk po i gjej askund.

Pedagogët e Universitetit të Tiranës meritojnë ta kenë këtë transparencë. Qeveria është e detyruar ta bëjë. Përndryshe, unë do të jem e para që këto akte do t’i konsideroj si pjesë të planit okult të rilindjes për të përçarë e goditur Universitetin e Tiranës. Plan i përpiluar nëpër rrjeshtat ogurzeza të kapitullit XII të Ligjit aktual për Arsimin e Lartë.

Te fundit


Kthehu lart