‘Përtej hudhrave dhe euforisë” Beqiraj: Çfarë thanë donatorët për Shqipërinë - Gazeta Express
string(73) "pertej-hudhrave-dhe-euforise-beqiraj-cfare-thane-donatoret-per-shqiperine"

‘Përtej hudhrave dhe euforisë” Beqiraj: Çfarë thanë donatorët për Shqipërinë

Gazeta Express

21/02/2020 18:13

Ish- zëvendës Ministrja e Financave në qeverinë Rama, Irena Beqiraj, ka bërë një analizë të tablosë së përgjithshme, të fondeve (granteve) dhe kredive që Shqipëria arriti të marrë përmes konferencës së donatorëve për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.

Beqiraj shprehet se ajo që u ofrua nuk ishte asgjë përtej normales dhe se donatorët kanë perfomuar ‘biznesin e tyre të zakonshëm’, pasi raporti mes granteve dhe kredive është i njëjtë me çka është ofruar përherë për Shqipërinë, 25% grante dhe 75% kredi me interes të ulët.

Lexo Edhe:

Beqiraj më tutje vë në dukje një studim interesant ku lë të nënkuptuar se ky raport 25% me 75% kredi, jo vetëm që nuk është rastësor por edhe i mirëmenduar. Sipas saj donatorët që ndodheshin në sallë, e kishin mjaft të qartë se kujt po i jepnin më së shumti kredi.

“Donatorët që ndodheshin në sallë më 17 shkurt, gjykuan ftohtësisht dhe i qëndruan strikt vlerësimit që kanë për institucionet shqiptare, korrupsionin dhe menaxhimit të financave publike në tërësi.”-shkruan Beqiraj.

Beqiraj ironizon gjithashtu qeverinë duke thënë se “Pasi t’ju ketë kaluar euforia edhe entuziazmi, pasi të jenë pajisur edhe me sasinë e nevojshme të hudhrave kundër syrit të keq mbi arritjet e tyre të paarritura, vendimmarrësit në këtë vend bëjnë mirë t’i futen punës”

Madje ish- zv.Ministrja e Financave vë në dukje se në shumicën e rasteve, grantet dhe kreditë e premtuara nuk janë dhënë (disbursuar) të gjitha, duke nënkuptuar se gjasat janë që Shqipëria të mos i ‘përthitë’ të 1.15 miliard eurot e grumbulluara.

Për më tepër lexoni të plotë komentin e ekspertes:

Nga Irena Beqiraj

 Nevojtari ka vetëm një fjalë në fjalorin e vet, “Faleminderit”. Duhen falënderuar donatorët, të cilët u angazhuan për të ndihmuar me shumën e vlerësuar në raportin e rindërtimit dhe rimëkëmbjes. Por, efektivisht për këdo që njeh aktivitetin e donatorëve, në vendimet e marra nga  donatorët  në konferencë nuk ka asnjë risi. Termat dhe mënyra sesi donatorët e ofruan ndihmën e tyre në konferencë, tregoi qartësisht, se të gjithë në atë sallë ishin duke performuar biznesin e tyre të zakonshëm, duke e parë  Shqipërinë edhe institucionet e saj me të njëjtat lente, duke ofruar asgjë më shumë përtej normales.

Së pari, struktura e donacioneve të ofruara për përballimin e pasojave të  tërmetit të 26 nëntorit, përbëhej 25% nga grantet dhe 75% nga kreditë me interes të ulët. Mund të duket koincidencë që edhe ndihma e huaj që Shqipëria ka marrë ndër vite po ashtu përbëhet mesatarisht 25% nga grante dhe 75% nga kredi me interes të ulët.

Kjo strukturë ndarjeje midis granteve dhe kredive, nuk është as rastësore, nuk është as koincidencë. Kreditë edhe pse me interesa të ulëta, janë të ndryshme nga grantet sepse mbartin barrën e ripagimit në të ardhmen. Grantet shihen si burime të të ardhurave buxhetore, kryesisht kur ofrohen si mbështetje buxhetore (pra kur kalojnë në buxhet edhe menaxhohen nga qeveria). Studimet që janë kryer që prej 1960-ës në këtë drejtim, tregojnë që, rritja e nivelit të granteve sidomos në vende me institucione të dobëta dhe korrupsion të lartë, ka çuar në uljen e të ardhurave buxhetore. Eksperienca e akumuluar nga Institucionet Ndërkombëtare Financiare si FMN apo BB sugjeron që, në vendet ku institucionet janë të dobëta, korrupsioni i lartë dhe menaxhimi i financave publike lë për të dëshiruar, zhvendosja nga kreditë e buta te grantet, do të rriste varësinë e vendit marrës nga ndihma e huaj si dhe do të vështirësonte planifikimin buxhetor. Studimet e kryera në këtë fushë tregojnë që nëse shuma e kredive të buta do të rritej me një mesatare prej 1.5 për qind e PBB-së, të ardhurat tatimore në buxhet do të rriteshin me 0.35 pikë përqindje e PBB-së. Nëse shuma e granteve do të rritej me një mesatare prej 4% për qind e PBB-së, të ardhurat tatimore do të binin me rreth 1.1 për qind të PBB-së. Kjo nënkupton që çdo euro shtesë e ndihmës në formën e granteve, mund të rezultojë në një ulje prej 0.28 cent të të ardhurave tatimore në buxhet.

Donatorët që ndodheshin në sallë më 17 shkurt, gjykuan ftohtësisht dhe i qëndruan strikt vlerësimit që kanë për institucionet shqiptare, korrupsionin dhe menaxhimit të financave publike në tërësi.

Së dyti, një fakt tjetër interesat është që prej vitit 2014 deri më sot, niveli i përdorimit të ndihmës së huaj ( kredi+grante) ka qenë rreth 60%. Pra, janë disbursuar rreth 60% të shumave të dakordësuara dhe të nënshkruara midis donatorëve dhe qeverisë shqiptare.

Ka shumë arsye që ndikojnë në raportin e  përdorimit të ndihmës së huaj, të cilat pa dyshim do të ndikojnë edhe në përdorimin e fondeve në fjalë nga qeveria. Ndihma e huaj nuk është kurrë një drekë falas edhe kur ajo jepet si grant.

Efektiviteti i dhënies së ndihmës dhe marrjes së saj varet nga bashkëveprimi midis donatorit dhe marrësit të donacioneve. Ky bashkëveprim përcaktohet më së shumti nga qëllimet e vendit dhurues. Historikisht, vendimet që marrin vendet donatore janë të lidhura pazgjidhshmërisht me politikat e tyre të jashtme dhe interesat e tyre ndërkombëtare. Mospërputhja midis qëllimeve të donatorit dhe kërkesave të marrësit të donacioneve ndikon në efektivitetin edhe efikasitetin e përdorimit të donacioneve rreth  8 deri 20%.

Një dëgjues i vëmendshëm i Konferencës së Donatorëve e ka dalluar qartësisht  tendencën e donatorëve për të paracaktuar qëllimet e tyre.

Shumë prej donatorëve dhanë specifikime të qarta mbi sektorët ku do të duhej të përdorej ndihma e tyre apo edhe të religjioneve fetare që donin të mbështesnin me anë të granteve të tyre.

Së treti, madhësia e grantit, forma e grantit lidhet ngushtësisht me interesat tregtare që ka vendi dhurues me vendin marrës. Eksperienca botërore ka treguar se 50% e të gjithë granteve të lëvruara në botë ofrohen “In Kind” dhe lidhen pazgjidhshmërisht me interesat tregtare të vendit dhënës me vendin marrës. Jo fare çuditërisht edhe në këtë konferencë ishin Italia dhe Turqia që ofruan përkatësisht 65 dhe 45 milion euro grante në projekte, ndryshe e quajtur ndihmë “In Kind”. Janë këto dy vende, të cilat kanë interesa tregtare të mëdha mbi  Shqipërinë dhe duan pa dyshim  t’i ruajnë ato. Po eksperienca botërore na sugjeron që lidhja e ndihmës me interesat tregtare rrit kostot e ndihmës me 15% deri 30%.

Së kartërti janë 41 donatorë individualë, të cilët treguan “ndjeshmëri “ dhe  ofruan ndihmën e tyre në grante edhe në kredi. Megjithëse akoma nuk është e qartë, ka gjasa që shumë nga donacionet të menaxhohen nga agjencitë e  donatorëve dhe jo nga qeveria. Kjo do të kërkonte energji dhe kohë për të harmonizuar donacionet si dhe për të integruar qëllimet zhvilluese të  donatorëve me planet dhe përparësitë e vendit.

Megjithëse donatorët dukshëm janë sjellë normalisht, (pa përjashtime) duke zbatuar të gjithë parimet e mësipërme, sukseset imagjinare dhe “magjia  përtej çdo fantazie” në këtë vend nuk kanë të sosur. Pasi t’ju ketë kaluar euforia edhe entuziazmi, pasi të jenë pajisur edhe me sasinë e nevojshme të hudhrave kundër syrit të keq mbi arritjet e tyre të paarritura, vendimmarrësit në këtë vend bëjnë mirë t’i futen punës. Së pari, duhet  të  tregojnë që do të dinë t’i mobilizojnë, siç duhet qoftë edhe një pjesë të këtyre fondeve dhe së dyti me vendimmarrjet e tyre duhet të mundësojnë një orë e më parë nxjerrjen e Shqipërisë nga Statusi i Nevojtarit.