Përplasje në KZAZ-në e Tropojës, edhe në Selenicë zbatohet vendimi i Metës


Gazeta Express
18 Qershor 2019 11:54

Mëngjesin e sotëm persona të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet e KZAZ nr.9 në Pallatin e Kulturës në Bajram Curri të Tropojës dhe kanë tërhequr që aty materialet zgjedhore.

Ata janë përplasur me policinë, ndërsa është thyer dera e pasme e kësaj KZAZ-je.

Bashkia e Bajram Currit kërkoi që drejtuesit e KZAZ-ve të dorëzonin materialet zgjedhore, duke zbatuar kështu dekretin e Presidentit Ilir Meta.

Po sot edhe bashkia e Selenicës ka kërkuar lirimin e ambienteve në pronësi të bashkisë që janë të zëna me materialet e procesit zgjedhor.

Kryetari Përparim Shametaj shprehet se do vërë në zbatim dekretin e presidentit Ilir Meta dhe theksoi se nëse Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në Selenicë nuk lirojnë ambientet do ndërhyjë bashkia.

“Unë nuk kam kërkuar KZAZ dhe institucioneve të tjera lirimin e ambienteve por kam dërguar një shkresë në zbatim të dekretit të presidentit dhe unë besoj se Presidenti ka ligjshmërinë për të lëshuar urdhra të tillë dhe në zbatim të dekretit kam bërë shkresën,”-tha Shametaj në një prononcim për mediat.

“Do bëj çmos që dekreti i presidenti të zbatohet”, tha ai.

Te fundit


Kthehu lart