Përplasja në “Astir”çon 12 persona në spital, Vokshi: Policët i kanë thyer dhëmbët protestuesve


Gazeta Express
12 Nëntor 2019 11:27

12 persona kanë përfunduar në spitalin e Tiranës si pasojë e përplasjeve të forta mes forcave të policië dhe protestuesve në zonën e Astirit, pasi këtë të martë ka nisur një aksion i IKMT për shkatërrimin e 33 objekteve për projektin e Unazës së Madhe.

Spitali Universitar i Traumës bën me dije se aktualisht po marrin shërbim 12 persona, nga të cilët 5 efektivë policie dhe 7 protestues, të lënduar në zonën e Astirit.

“Asnjë prej personave të lënduar nuk është në rrezik për jetën. Spitali është në gatishmëri të plotë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë që në ambientet e spitalit të Traumës në kryeqytet kanë shkuar përfaqësues të PD-së për të parë më nga afër gjendjen e të lënduarve, veçanërisht të protestuesve. Ish- deputetja e PD-së Albana Vokshi deklaroi për median se dhuna policore ka qenë e tmerrshme. Madje ish- deputetja u shpreh se disa prej të lënduarve u janë thyer dhëmbët nga policia.

Albana Vokshi: Sipas informacioneve që morëm nga banorët ka pasur shumë persona që janë lënduar rëndë. Fillimisht u refuzuam nga drejtoria e spitalit, por më së fundi takuam dy prej tyre të cilët kanë shqetësime shumë të rënda. Takuam Lindita Protoduarin, e cila është shumë sëmurë për shkak të gazit të përdorur. Kanë qenë mbi 50 gra dhe fëmijë. Nuk është dëshpëruese, kjo është e tmerrshme dhe kriminale ajo që ka ndodhur sot.  Ka nga ata  që  u ka dalë kavilja, pleq që i janë thyer dhëmbët nga dhuna e policisë, ka disa zonja që kanë djegie për shkak të gazit që është përdorur për to. Ka dhjetëra të arrestuar, mes tyre gra dhe vajza që janë dhunuar më mënyrë çnjerëzore nga policia. Nuk dihen në cilin komisariat ndodhen gratë. Ne do jemi në protestë, pranë banorëve.

REAGIMI I METËS:

Mbi situatën e tensionuar ka reaguar dhe Presidenti Meta, i cili ka shkruar në rrjetin social se është e patolerueshme arroganca përballë mjerimit dhe traumës që po u shkaktohet familjeve në zonën e Astirit.

Postimi:

E papranueshme dhuna e përsëritur sot ndaj banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë në mbrojtje të shtëpive dhe të pronave të tyre.

Arroganca përballë mjerimit dhe traumës që po u shkaktohet këtyre familjeve për muaj të tërë është e patolerueshme.

Banorët të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe palët të ulen menjëherë në dialog.

U uroj shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.

REAGIMI I AVOKATIT TE POPULLIT:

Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së sotme në segmentin e Unazës së Re ku janë shënuar përplasje midis banorëve që kundërshtojnë një projekt ende të kontestuar infrastrukturor dhe forcave të rendit.

Ekipe të Avokatit të Popullit ndodhen në terren për të dëshmuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi.

Në këtë situatë, institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, i cili prej një muaji ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë një raport të veçantë mbi çështjen e Astirit dhe ende është në pritje të përgjigjes, bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi, si dhe për garantimin e plotë të të drejtës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut për të kryer detyrën e tyre.

Gjithashtu, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore që të mënjanojnë konfliktin me qytetarët, të mos zbatojnë politikën e faktit të kryer e të mos e tejkalojnë me anë të zellit të pajustifikuar detyrën e tyre, sidomos në kushtet kur çështja për të cilën ka lindur ky konflikt nuk është sqaruar.

Respektimi i të drejtës qoftë edhe të një qytetari të vetëm duhet të jetë në bazamentin e një shteti demokratik pasi nuk mund të ketë interes madhor e të mirë kolektive, të themeluar mbi dhunimin e dikujt tjetër.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrjen autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës./Express

Te fundit


Kthehu lart