Përplasja me Policinë në Elbasan, efektivët nuk identifikojnë Suel Çelën. Zbardhen dëshmitë


Gazeta Express
19 Prill 2019 9:57

Duke nguruar të përgjigjen dhe me dëshmi kontradiktore, 4 punonjës të Policisë kanë dhënë dje versionin e tyre të përplasjes së makinës së Policisë, dy vite më parë në Elbasan.

Suel-Çela

Në 18 shtator të 2017-ës, një makinë, në të cilën ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi, u godit nga një “Audi” në hyrje të tregut ushqimor në Elbasan. Për ngjarjen, janë marrë të pandehur Enea Bekteshi, Kelmend Xhaferri dhe Suel Çela, megjithëse për këtë të fundit, asnjë prej policëve të pyetur nuk e identifikoi si drejtuesin e “Audi”-t, ashtu siç pretendon Prokuroria.

Dy prej oficerëve të pyetur dje, e nisën dëshminë e tyre, duke thënë se i qëndronin deklarimeve të mëparshme, duke lënë të kuptohet se nuk kishin dëshirë të pyeteshin, megjithëse më vonë dhanë versionin e tyre. Referuar dëshmive, ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, ndërsa gjithçka ka nisur pas një operacioni të koduar “Vjeshta”, për sekuestrimin e automjeteve të grabitura.

Ka qenë mjeti në të cilin ndodhej edhe Gjergji Oshafi, së bashku me shefin e Seksionit të Krimeve të Rënda, që ka identifikuar një “Range Rover”, i cili ishte i dyshimtë dhe i kanë bërë shenjë të ndalonte, pas shoqërimit të një prej personave që ishte në këtë mjet, kur ndodheshin përballë portës së tregut, janë përplasur nga një makinë, që kishte shkuar me shpejtësi dhe për mënyrën se si ishte futur, rrezikoi jetë policësh, tha një prej dëshmitarëve.

Të pyetur në seancë për identifikimin e personit që drejtonte mjetin, punonjësit e Policisë, pavarësisht se pohuan që mjeti “Audi” ishte ose njihej si në pronësi të Çelajve dhe më herët në të ishte parë Suel Çela, përballë treshes gjykuese, thanë se nuk e kanë identifikuar të ishte ai.

Dy prej punonjësve të Policisë thanë se kanë parë një njeri me trup të madh dhe me kapele, ndërsa një tjetër garantoi se nuk ishte Suel Çela, pasi e njihte dhe me siguri do ta kishte njohur. Më tej, shefi i Seksionit të Krimeve të Rënda tha para Gjykatës se në brendësi të tregut, ai kishte parë një rrugë të nëndheshme, e cila kishte dyer të fortifikuara.

Sipas tij, kjo mund të ishte edhe rruga nga kanë dalë autorët, ose autori, që edhe pse tregu u rrethua dhe ishte i bllokuar, nuk u gjetën asnjëherë. Ndërkohë, në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet më 25 prill, do thirret si dëshmitarm ndër të tjerë, edhe ish-shefi Gjergji Oshafi dhe dy punonjës të tjerë të Policisë, që do të pyeten me qëllim zbardhjen e një prej ngjarjeve që kanë bërë bujë në opinionin publik.

DËSHMITË E.B., SHEF I SEKSIONIT TË KRIMEVE TË RËNDA NË POLICINË E ELBASANIT

Në vitin 2017, unë kam qenë shef i Seksionit të Krimeve të Rënda në Policinë e Elbasanit. Në atë kohë, ishte organizuar një operacion “Vjeshta” për sekuestrimin e mjeteve të grabitura. Dhe në kuadër të këtij operacioni, unë kam qenë me nëndrejtorin dhe 2 oficerë policie në patrullim. Në afërsi të urës së Bradasheshit, kemi konstatuar mjetin “Range Rover” si të dyshimtë dhe kemi njoftuar nëpërmjet radiove patrullat e Shqiponjave. Ky automjet ka ndaluar para tregut dhe në të ishin Endri Çopja dhe Ledio Zabeli. Fillimisht, nuk kanë kundërshtuar, por pasi kemi konstatuar se në dorë njëri prej tyre kishte radiomarrës, që ishte objekt që nuk përdoret nga njerëzit normal, tentuam ta marrim. Personi kërkoi ta shmangte një gjë të tillë, duke e lënë radion te roja. Pas këtij momenti, kemi bërë shoqërimin e tij në Komisariat.

Në momentin që po bëheshim gati të largoheshim, jemi njoftuar për një makinë “Audi”, që po vinte dhe zëri i punonjësit, që na njoftoi, ishte i shqetësuar. Mjeti ka ardhur me shpejtësi dhe goditi në pjesën e pasme makinën, ndërsa kaloi duke u futur brenda tregut. Gjatë momentit të përplasjes nuk ishin futur të gjithë në mjete dhe disa punonjësve të Policisë u është rrezikuar jeta. Ne nuk u futëm dot brenda tregut, pasi dera u mbyll shumë shpejt. Kemi pritur forca të specializuara për ndërhyrje, pasi nuk donim të rrezikohej jeta e ndonjë punonjësi, sepse kishim informacione se këta persona ishin të përfshirë në ngjarje kriminale, kishin të shkuar kriminale për drogë dhe vrasje.

FNSH nuk ka pranuar të bëjë ndërhyrjen dhe kemi pritur RENEA-n, në kohën që kanë ardhur këta të fundit, erdhi edhe pronari i tregut Petrit Çela, i cili ka hapur derën dhe ne kemi vazhduar me veprimet procedurale. Tregu kishte rrugë të fshehtë nëntokësore dhe me dyer të fortifikuara, nga ku mund të kenë dalë ata personat. Ndërkohë, në lidhje me derën, mendoj se makina kishte sensorë, të cilët bënë hapjen e saj. Në momentin që makina është futur brenda tregut, unë kam dëgjuar të shtëna armësh dhe në kor “Ndal, Policia!”. Në lidhje me drejtuesin e këtij mjeti, unë nuk e kam identifikuar dot, por këtë makinë, më herët, e kemi ndaluar dhe në të kanë qenë Marius dhe Mario Lulaj.

F.M., OFICER I PATRULLËS SË PËRGJITHSHME

Unë kam qenë shofer te patrullat Shqiponja dhe atë ditë kam qenë me tre oficerë të tjerë, kur kemi marrë njoftimin nga zëvendësdrejtori, Gjergji Oshafi, se duhet të afroheshim te tregu i shumicës i Petrit Çelës. Kur shkuam aty, kanë zbritur nga furgoni i patrullës çunat dhe kanë bërë shoqërimin e një personi.

Në momentin që jemi nisur për të shkuar te Komisariati, kemi parë një makinë “Audi”, edhe në radio u komunikua për këtë makinë dhe ne e ndaluam. Ecëm mbrapsht me furgonin dhe zbriti vetëm një prej oficerëve. Gjatë këtij momenti, kam dëgjuar të shtëna arme, por nuk kam parë se kush ka qëlluar, pasi nuk zbrita nga makina. Ndërkohë, personin e shoqëruar nuk e kam parë dhe nuk mund ta identifikoj, por mbaj mend si ai kishte një radio për komunikim në dorë. Ky person ka qenë në debat e sipër me shefin dhe 3 persona të tjerë. Në lidhje me makinën “Audi” që erdhi, njihej si makina e Suel Çelës. Më vonë kam mësuar se kjo makinë ka goditur makinën e drejtorit.

Y.B., OFICER I POLICISË GJYQËSORE

Ditën e ngjarjes, kam qenë në patrullë me furgon dhe na është bërë thirrje nga zëvendësdrejtori, Gjergji Oshafi, për të shkuar te tregu ushqimor. Kur kemi shkuar te vendi, pamë që makina e zëvendësdrejtorit ishte ndaluar aty. Pas tij, ndalojmë edhe ne dhe pasi zbresim, marrim urdhër se duhet të shoqëronim një person. Ai kishte një radiomarrës në dorë dhe ne do të kryenim verifikimet. Pasi u nisëm për në Komisariat, në radio më kanë komunikuar se ishte duke ardhur një “Audi” dhe ne u kthyem. Unë kam zbritur nga furgoni dhe kam parë që xhami para makinës “Audi”, ishte i hapur, ndërsa drejtuesi ishte i shëndoshë, me kapele dhe rreth 35 vjeç.

Në vendin e parë të pasagjerit nuk kishte asnjë person, pas mjetit nuk e pashë dot sepse ishin të mbyllur xhamat. Ngjarja ka qenë shumë e shpejtë, mjeti pas përplasjes futet direkt brenda tregut, gjatë këtij momenti kemi dëgjuar të shtëna armësh, por nuk identifikoj dot se kush ka qëlluar. I kemi bërë thirrje rojës të hapte derën, por na tha se nuk na njihte dhe se nuk mund të hapte. Gjatë këtij momenti, vjen një “Audi” tjetër, në të cilin ishte Kelmend Xhaferri, të cilin e kemi shoqëruar në ambientet e Komisariatit. Në lidhje me personin që ishte në “Audi”-n që përplasi makinën, nëse do të ishte Suel Çela unë do e kisha identifikuar, pasi e njoh. E përjashtojë si mundësi që të ketë qenë ai.

Nga patrullimi te përplasja, versioni i Prokurorisë për ngjarjen

Suel-Cela1

Çështja është regjistruar në 2017-ën dhe i referohet ngjarjes së 18 shtatorit. Mesditën e kësaj date, patrullat e Policisë kishin dalë për verifikim automjetesh dhe personash në lidhje me një sinjalizim të bërë nga një shtetas, se në tunelin e Kërrabës 3 automjete i kishin bërë manovra në rrugë, ndërsa në një prej makinave një person i kishte drejtuar një objekt si pistoletë. Këtë situatë ky shtetas e kishte marrë si kanosje, tha prokurori.

Gjatë kontrolleve të kryera përpara tregut ushqimor, Policia kishte vënë re një makinë “Range Rover”, e ngjashme me përshkrimet e bëra nga personi. Policia i ka bërë me shenjë që të ndalonin dhe personave brenda, që të dilnin. Njëri prej këtyre personave ka dalë dhe ka shkuar në drejtim të rojës së tregut për t’i dhënë diçka, veprim të cilin Policia ia kishte ndaluar. Si pasagjerë në këtë automjet kanë qenë Endri Çopja dhe një person tjetër, që kanë refuzuar të shoqërohen në Polici.

Gjatë kësaj kohe, në këtë vend janë mbledhur forca të shumta policie dhe pas disa minutash, vërehet një makinë tip “Audi”, që bëri manovra. Nga kamerat e sigurisë shihet që makina “Audi” bënë tentativë për t’u futur në tregun ushqimor dhe gjatë kësaj tentative prek makinën e Policisë, e cila shtyhet disa metra më tutje. Ndërkohë, policët e pranishëm aty, nga pamjet duket që vetëm qëllojnë në ajër.

Ndërkohë, pavarësisht kërkesave për të hapur derën e tregut, ajo është hapur me vonesë dhe vetëm pasi ka marrë dijeni shtetasi P.Ç., pronar i tij, i cili ka urdhëruar hapjen e portës. Vendi është rrethuar nga forca policie të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe është bërë ndërhyrja, sekuestrimi i makinës dhe objekteve të gjetura aty.

Ndërkohë, sipas Prokurorisë, në bordin e makinës “Audi” ka qenë Enea Bekteshi dhe Marjus Lulaj (Suel Çela), që tentuan të vrisnin punonjësit e Policisë. Më tej, prokurori sqaroi se Enea Bekteshi akuzohet edhe për trafikim narkotikësh, pasi gjatë arrestimit i është gjetur një sasi lënde narkotike. Ndërsa Kelmend Xhaferri akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje dhe largim të burgosurit nga vendqëndrimi. Gjatë arrestimit, Xhaferrit i është gjetur një armë, ndërsa gjatë kohës që ka qenë në “Arrest shtëpie” ka dalë.

Te fundit


Kthehu lart