Përplasja me Metën, Dvorani ‘sqaron’ ligjin dhe i përgjigjet akuzave të Berishës


Gazeta Express
20 Nëntor 2019 20:49

“Radha është një koncept që interpretohet në mënyrë tërësisht të gabuar dhe veprimet e Këshillit për dërgimin e listave te organet e emertesës është një vendim që nuk ndikon fare në respektimin e Kushtetutës dhe ligjit, dhe nuk mund të më ngarkojë me përgjegjësi personale”.

Kjo ishte përgjigjja e parë e Ardian Dovranit, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në intervistën e parë të dhënë ekskluzivisht për Top Talk në Top Channel, ku sqaroi rolin e tij në procesin e vlerësimit dhe dërgimit të listave me emrat e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti Ilir Meta e akuzon kreun e KED se nuk ka respektuar radhën e përcaktuar në Kushtetutë me dërgimin e listave në të njëjtën kohë si për Presidencën ashtu edhe për Kuvendin. Por sipas Dovranit, radha Presidencë-Kuvend-Gjykatë e Lartë është përcaktuar për një situatë normale dhe jo kur disa vakanca krijohen njëherazi.

Në kushtet kur të gjitha vendet në Gjykatën Kushtetuese janë bosh, Dovrani bëri këtë përcaktim për radhën:

“Radha është momenti kur lind vakanca, kush është kompetent, pastaj ku përfundon procesi është diçka tjetër që nuk ka lidhje fare me kushtëzimin e njëri-tjetrit, Kuvendit dhe Presidentit”.

Ardian Dovrani komentoi edhe veprimin e Presidentit për të dorëzuar në tre Prokurori kallëzimin penal ndaj tij.

“Nuk kam parë që një kallëzim t’i drejtohet 3-4 Prokurorive njëherësh. Përgjithësisht ata që janë profesionistë dhe e njohin ligjin e Kushtetutën, pretendojnë dhe e dinë se cila është prokuroria kompetente për dorëzuar një kallëzim penal.

Prokurori nuk duhet të mendojë se kush do të jetë kryetari i KED vitin tjetër, nuk duhet të mendoj fare se kush është kallëzuesi, por duhet të respektojë Kushtetutë”, deklaroi kreu i KED.

Ardian Dvorani, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i është përgjigjur në emisionin Top Talk në Top Channel, akuzave të opozitës dhe veçanërisht të ish-kryeministrit Sali Berisha, për lidhje të tij me Partinë Socialiste.

“Unë s’kam bërë kurrë jetë politike. Jeta ime është tërësisht profesionale, nuk kam në asnjë moment jetë politike në aktivitetin tim. Kam punuar vetëm si nëpunës publik dhe tani jam gjyqtar”, tha Dvorani.

Duke iu referuar akuzës së Berishës, Dvorani sqaroi se ka marrë pjesë në një aktivitet të Partisë Socialiste, kur ajo ishte në opozitë, por vetëm si përfaqësues i Unionit të Gjyqtarëve dhe të pranishëm aty ishin përfaqësues të prokurorëve, avokatëve, shoqëri civile dhe përfaqësues të ambasadave.

“Zoti Sali Berisha kujton pjesëmarrjen time në një aktivitet të PS. Kjo është një gjë e pavërtetë dhe nuk duhet të thuhet. Bëhet fjalë për një aktivitet ku unë kam marrë pjesë, së bashku me një koleg, si përfaqësues dhe anëtar të kryesisë së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Në atë aktivitet kanë qenë pjesëmarrës të gjitha institucionet publike. Aty kam përfaqësuar një grup interesi dhe kam qenë si përfaqësues në bazë të një vendimi të marrë nga Unioni i Gjyqtarëve. Merrnin pjesë përfaqësuesit e institucioneve të huaja dhe ambasadave”, sqaroi Dovrani./tch

Te fundit


Kthehu lart